Ja si e ‘vodhi’ Argjentina super Messin nga Spanja

Në vitin 2004, Lionel Mesi ishte një talent, por i panjohur për shumicën e botës, edhe pse me ekipet e moshave te Barcelona po shkëlqente dhe po avanconte me shpejtësi drejt ekipit të parë.

Për pasojë, edhe ekipet e moshave të Spanjës po e vëzhgonin dhe grumbullimi për të do të vinte, me kombëtaren U17, nëse nuk do të futej në lojë Argjentina.

Mediat spanjolle kujtojnë historinë e pabesueshme se si Argjentina u zgjua dhe e bëri të vetin fenomenin që në dekadën e fundit ka mahnitur botën.

Hugo Tokaji, trajner i Argjentinës U20, u takua personalisht me presidentin e federatës argjentinase, Hulio Grondona, dhe e paralajmëroi se Spanja mund të grumbullonte Mesin, duke i treguar edhe një video me golat e talentit argjentinas.

Grondona u mahnit dhe kërkoi informacione, prej të cilave rezultoi se Mesi do të luante me Spanjën U17 së shpejti.

Mendja e Grondonas “prodhoi” një lëvizje gjeniale: u organizua me urgjencë një miqësore kundër Paraguait U20, që të konsiderohej miqësore e FIFA-s dhe Mesi të luante, për t’u bërë zyrtarisht argjentinas.

I pari që u grumbullua ishte pikërisht Mesi, ndërsa për detajet e tjera nuk e vrau mendjen askush.

Ndeshja u përgatit me shpejtësi, nuk u reklamua fare dhe thuajse askush nuk e mori vesh, aq sa dikush tregon: “Shkova në stadium vetëm sepse pashë dritat ndezur dhe në radio dëgjova që do të luante Argjentina U20”.

Ishte 29 qershor 2004: Mesi u fut në pjesën e dytë dhe shënoi një supergol (shihni videon), i pari ndër të shumtit me fanellën e Argjentinës, që mund të kishte qenë e Spanjës…