Skuadrat kosovare në garat europiane sivjet patën paraqitje të mira, por me këtë ato kanë mbushur edhe kacat e tyre.
FC Prishtina është klubi kosovar që ka fituar më se shumti nga paraqitja e tyre në Europë. Kampionët e Kosovës kanë fituar 950 mijë euro nga kjo pjesëmarrje. FC Prishtina fillimisht luajti në Ligën e Kampionëve.
Ata fituan në rrethin para kualifikues të Ligës së Kampionëve por u eliminuan në rrethin e parë nga kampioni i Hungarisë, Ferencvaros. Pas kësaj ata filluan garën për kualifikime në rrethin e dytë të UEFA Konferencë Ligë.
Prishtina do të fitonte në rrethin e dytë të kualifikimeve në rrethin e dytë, duke e mundur kampionin e Wales Connah’s Quay Nomads.
Në rrethin e tretë atë e priste skuadra kampione e Norvegjisë, Bodo/Glimt. Prishtina fitoi në ndeshjen e parë kundër Bodo/Glimtit me rezultat 2-1 por sonte (e enjte) humbi me rezultat 2-0 duke i dhënë fund ëndrrës së tyre për të kaluar në rrethin e tretë të Konferencë Ligës.
Skuadra tjetër kosovare që ka fituar më se shumti nga garat në Europë është skuadra e Dritës. Nënkampioni i Kosovës do të këtë në arkat e tyre 550 mijë euro. Drita fitoi në raundin e parë kundër Deçiçit, skuadër tjetër shqiptare kjo nga Mali i Zi derisa në ndeshjen e dytë pati short të vështirë kundër Feynordit të Holandës.
Drita ishte shumë afër që ta eliminonte këtë skuadër por që humbi në momentet e fundit të ndeshjes.
Skuadra që ka fituar më së paku është ajo e Llapit. Llapianët arkëtojnë 250 mijë euro nga pjesëmarrja e tyre e parë në Europë, derisa ata u eliminuan nga FC Shkupi që në rrethin e parë të eliminatorëve në Konferencë Ligë.
Sa fituan klubet e tjera shqiptare?
Nga klubet tjera shqiptare që ka fituar afër shumës së Prishtinës është kampioni i Shqipërisë, Teuta e Durrësit. Djemtë e detit arritën që nga paraqitja e tyre në Europë të arkëtojnë 850 mijë euro.
Po kaq sa Teuta ka arritur të fitojë edhe skuadra e Laçit që ka 850 mijë euro në arkat e tyre.
Edhe Partizani dhe Vllaznia e Shkodrës kanë fituar nga 550 mijë euro nga paraqitja e tyre në Europë sivjet.
Shkëndija e Tetovës, që ishte një zhgënjim sivjet në Europë duke mos arritur pritjet e saj ka fituar 550 mijë euro. Kaq ka fituar edhe skuadra tjetër shqiptare, FC Shkupi. Më së paku nga ekipet e Maqedonisë së Veriut ka fituar FK Struga, 250 mijë euro.
Këtë vit për herë të parë në Europë mori pjesë edhe një skuadër shqiptare nga Mali i Zi dhe ky është Deçiçi i Tuzit. Kjo skuadër u eliminua që në rrethin e parë nga skuadra kosovare Drita. Deçiç fitoi 250 mijë euro nga paraqitja e tyre e parë në Europë