Pjesa më e madhe e klubeve të Superligës së Kosovës në futboll janë zhvendosur në Antalia të Turqisë.
Nga 10-të klube sa luajnë në elitën e futbollit kosovar, 6 prej tyre tashmë ndodhën në bregdetin turk.
Arsyeja e shkuarjes së klubeve kosovare në Antalia është faza përgatitore që po e kryejnë atje para fillimit të stinorit pranveror.
Moti i ftohtë në vendin tonë dhe kushtet e mira atmosferike në Antalia po ndikojnë që klubet kosovare të përgatiten atje.
Gjilani, Drita, Ballkani, Prishtina, Malisheva dhe Dukagjini janë klubet që tashmë kanë filluar përgatitjet në Antalia, ndërsa Llapi do të udhëtojë të enjten.
Kurse Drenica, Ulpiana dhe Feronikeli përgatitjet për pjesën e dytë të kampionatit po i kryejnë në Kosovë.
Por sa po iu kushton klubeve të Superligës kryerja e fazës përgatitore në Antalia?
Gazeta inFokus mëson se një klubi qëndrimi për dy javë në Turqi i kushton hiq me pak se 35,000 mijë euro.
Në hotelet ku janë vendosur disa nga klubet e Superligës, qëndrimi për një natë kushton të paktën 50 euro, llogaritë këtu biletat e udhëtimit me aeroplan dhe taksat tjera.
Stinori pranveror do të nisë në javën e dytë të muajit shkurt me ndeshjet çerekfinale të Kupës së Kosovës.