Ja profesionet e dyta të trajnerëve të Superligës

Profesorë, ushtarakë, pronarë picerish, punëtorë administrate…Këto janë disa nga profesionet e dyta të trajnerëve aktual të Raiffeisen Superligës së Kosovës në futboll. Gazeta ‘Olle’ ka biseduar me të gjithë trajnerët e elitës.

Afrim Tovërlani – Feronikeli

Trajneri i mirënjohur kosovar, Afrim Tovërlani, njihet për përgatitjen e mirë që u bën skuadrave dhe taktikat gjatë lojës.

Nëse keni menduar se ‘Toki’ di të merret vetëm me futboll, atëherë jeni gabim. Trajneri nga Prishtina është ekspert edhe për përgatitjen e picave, me disa ‘taktika’ të veçanta. “Kohëve të fundit nuk jam duke u marrë shumë me piceri. E kam picerinë në Prishtinë, e cila është e para në Kosovë me furrë të drurit, që nga viti 1991, e kam fjalën si piceri. Një gjë e di sigurtë: Piza më të mira se sa unë në Kosovë, vetëm vëllai im i madh di të gatuajë “, ka thënë për Gazetaolle.com, Afrim Tovërlani.

Ky i fundit është një ndër trajnerët më të suksesshëm në histori të futbollit kosovar. Tovërlani e ka titullin profesor pasi që e ka mbaruar Fakultetin e Edukatës Fizike.

Tahir Batatina – Llapi

Njihet si shumë strikt në punën e tij si trajner futbolli.

E, ndoshta një gjë të tillë e ka fituar edhe nga Akademia Ushtarake në të cilën është ligjërues.

Tahir Batatina e ka edhe një firmë private që merret me ndërtimtari dhe një restorant. “Përpos futbollit, i menaxhoj 30 punëtorë në firmën e ndërtimtarisë dhe 12 punëtorë në restorant”, deklaroi Batatina.

Bylbyl Sokoli – Gjilani

Trajneri i mirënjohur kosovar, Bylbl Sokoli, është edhe profesor në Universitetin e Prishtinës. ‘Timonieri’ kosovar pikërisht për një gjë të tillë njihet si ‘profa’.

Ismet Munishi – Hajvalia

Jetën ia ka dedikuar futbollit. Është puna që di të bëjë më së miri dhe për një fakt të tillë, Ismet Munishi, ndjehet shumë krenar. “Në Kosovë është paksa problem që të merresh vetëm me një punë. Unë, ekskluzivisht i jam përkushtuar futbollit. Kemi trajner si profesorë apo që merren edhe me punë të tjera. Unë dua që të jem më i miri andaj i jam përkushtuar tërësisht vetëm futbollit”, potencoi Ismet Munishi.

Arbnor Morina – Besa

Vite më parë, trajneri Arbnor Morina, sikurse kolegu i tij, Afrim Tovërlani e ka menaxhuar një piceri e të cilën ia ka rrëzuar Komuna e Prishtinës.

Morina është ekonomist i diplomuar dhe teknik-laborant i biologjisë, por merret vetëm me futboll. “Duhet me qenë profesionist i vërtetë e jo me i kryer tri ose katër punë. E kemi proklamuar profesionalizimin, duhet me qenë profesionist e jo ‘supermen'”, pohoi Morina.

Pa trajner – Trepça ’89

 

Fadil Rama – Drenica

Merret vetëm me futboll. E ka edhe një shkollë private, të cilën po pret që ta licencojë.

Fadil Rama me profesion është punëtor administrativ.

Bekim Isufi – Drita

Nuk varet vetëm nga futboll, Bekim Isufi. Ai është edhe profesor i lëndës së Edukatës Fizike në një shkollë të mesme në Gjilan.

‘Beka’ thotë se me shumë kënaqësi e ushtron edhe detyrën e profesorit.

Erdogan Celina – Liria

Ish-futbollist i mirënjohur tashmë trajner. Erdogan Celina sikurse disa kolegë të tij në Superligë, merret vetëm me futboll.

Sami Sermaxhaj – Prishtina

“Nuk kam profesion tjetër përpos sportit – futbollit. Përveç se e ushtroj zejen e trajnerit, ligjëroj edhe lëndën e Futbollit në Kolegjin ‘Universi'”, i ka thënë ‘Olles’, trajneri i Prishtinës, Sami Sermaxhaj.

Isa Sadriu – Vushtrria

Jashtëzakonisht i njohur si futbollist, ku u aktivizua si mbrojtësi i majtë. Ka bërë karrierë edhe ndërkombëtare. Si trajner aktualisht është te Vushtrria. Nuk ka punë tjetër përpos futbollit.

Genc Hoxha – Istogu

Kohë më parë, Genc Hoxha, ka punuar në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK).

Tash e një kohë, Hoxha ka dhënë dorëheqje nga KEK-u për t’iu përkushtuar sportit, konkretisht futbollit.