Kur do të luaj Kosova në Kampionatin Evropian?

Bordi i FIBA Evropës gjatë mbledhjes së fundit të mbajtur në fundjavë në Munih të Gjermanisë i ka konfirmuar nikoqirët e Kampionateve Evropiane për kategori të reja që do të zhvillohen në vitin 2016.

Kampionati Evropian U20 (meshkujt) Divizioni B do të mbahet prej 15 deri më 24 korrik 2016 në Halkida të Greqisë, kurse U18, Divizioni C do të zhvillohet në San Marino, por data e organizimit të këtij kampionati ende nuk është caktuar si dhe U16 Divizioni B do të organizohet prej 11 deri më 20 gusht në Sofje të Bullgarisë. Në të tria këto vente Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) do të marr pjesë me Përfaqësueset e saj në Divizionet përkatëse.

Ndërkaq në konkurrencën e femrave për herë të parë FBK do të prezantohet me dy Përfaqësuese, atë të U16 dhe U18, të dyja këto në Divizionet C.

Kampionati i U16 do të organizohet në Andorra La Vella të Andorrës, kurse U18 në Tbilisi të Gjeorgjisë. Datat e të dyja eventeve nuk janë caktuar ende, por që pritet kjo të ndodh në janar të vitit të ardhshëm.

Duhet theksuar se këtë vit për herë të parë që nga pranimi në FIBA, Kosova ka marr pjesë në Kampionate Evropiane, gjegjësisht me U16 dhe U20 meshkujt.

Kosova U16 është shpallur nënkampione e Divizionit C, kurse Kosova U20 ka përfunduar në vendin e 14-të në Divizionin B.

Krahas Përfaqësueseve të lartpërmendura, FBK vitin e ardhshëm do të marr pjesë në kualifikime edhe me Përfaqësuesen A.