Itali – Shqipëri, këtë ndeshje nuk do ta harrojë kurrë Buffon

Më 19 nëntor 1995, kur ishte vetëm 17 vjeç, Giannluigi Buffon debutonte në një Parma-Milan, ku trajneri Nevio Skala  guxoi dhe e hodhi në fushë, pasi mungonte veterani Buçi. Super ndeshje nga portieri italian, i cili që atëherë nisi një rrugëtim të gjatë dhe plot rekorde.

I fundit është vendosur ditët e fundit, sepse Bufon ka luajtur 39.706 minuta me fanellën e Juventusit, si askush në histori.

Të premten kundër Shqipërisë e ka radhën një tjetër moment historik: në Palermo do të luajë ndeshjen e tij numër 1000 në karrierë me ekipet e para, pa llogaritur ekipet e të rinjve. Arritja e shifrës së 1000 ndeshjeve e bashkon me të vetmin italian që deri tani e ka arritur këtë shifër, legjendarin e Milanit Paolo Maldini (1028 ndeshje).

Nëse do të luajë në Rusi 2018, Bufon do të bëhet italiani i vetëm që merr pjesë në 6 Kupa Bote.