Istogu lëshon pe, Milicaj te Besa

Pas shumë bisedimesh, tratativash, mosmarrëveshjeve që patën Besa dhe Istogu rreth sulmuesit të rrezikshëm Mark Milicaj, më në fund u arrit marrëveshja për finalizimin e transferimit të tij në klubin pejan.

Menjëherë pas përfundimit të pjesës vjeshtore të kampionatit, Besa e Pejës kontaktoi me Milicajn i cili e kishte pranuar menjëherë ftesën e tyre dhe shumë shpejt edhe u prezantua para mediave kosovare, mirëpo aty filluan telashet.     Istogu që mbante kartonin e futbollistit me kontratë e cila i skadonte në fund të edicionit, nuk dëshironte në asnjë mënyrë t’i privohet nga shërbimet e tij pa ndonjë kompenzim, andaj zyrtarët e klubeve patën mosmarrëveshje të mëdha rreth lojtarit.

Fillimisht thuhej se Istogu si dëmshpërblim kërkonte rreth 10.000 euro, ndërsa marrëveshja u finalizua gjatë ditës së enjte për shumën totale 5.000 euro. Milicaj i cili edhe ashtu zhvilloj përgatitjet tash e sa muaj me klubin pejan, do të mund të debutoje menjëherë në ndeshjen e parë kampionale në pranverë kundër Trepçës.

Besa gjatë afatit dimëror ka bërë edhe gjashtë transferime tjera: Fetim Kasapi (Raslatt SK), Qendrim Dautaj (Ferizaj), Zogho Steve Dosfellos , Omattore Ibrahima, Ngafi Gosam Roland Adjoumani, Traore Tremose Noime nga Bregu i Fildishtë.