Ishi i Trepçës flet për largimin e ‘xehetarëve’ nga Superliga

Hajrullah Haxhiu për shumë vjet ishte pjesë e Trepçës, bashkë me nënkryetarin e tanishëm, Bekim Haxhiu. Të dy u larguan nga klubi tri vjet më parë.

Që nga atëherë, Trepça mezi i shpëtonte mbijetesës, kurse në vitin e tretë erdhi edhe tek rënia në Ligën e Parë.

Hajrullahu në një intervistë të gjatë për GazetaOlle.com, shpjegon gjithë atë se pse erdhi Trepça në këtë gjendje. Ai flet edhe për largimin e tij dhe Bekimit nga klubi.

“Jo vetëm unë që kam qenë 9 vjet në Trepçë, por çdo mitrovicas se ndien veten mirë me këtë gjendje të klubit, kur e dinë se çfarë të kaluare ka pasur. Unë në edicionin 2004/2005 bashkë me vëllain Bekimin (Haxhiu) jemi inkuadruar në klub, bashkë edhe me Rafet Prekazin, Burim Haxhën, etj. Në klub kemi gjetur vëllezërit Berisha. Gjendja atëherë s’ka qenë aspak e mirë, si psh infrastruktura”, thotë në fillim të bisedës, Haxhiu për GazetaOlle.com.

hajra

Ai tregon se si e kfillën klubin nga viti 2004. “Kemi arritur të përmirësojmë infrastrukturën, si në fushë ashtu edhe në zhveshtore, kemi bërë trajner Rafetin. Pastaj, kemi sjell Nexhmedin Haxhiu (kryetar i tanishëm), të cilin e kemi kushëri, dhe me të jemi marrë vesh të mbajmë bashkarisht klubin”.

trepqaa

Suksesin më të madh, Trepça, e kishte arritur në vitin 2010, kur u shpallë kampione e Kosovës. Ndeshja e fundit ishte e veçantë, u stërmbush stadiumi “Adem Jashari”. “Filluam mirë, ku luftonim edhe për pjesën e epërme të tabelës. Në edicionin 2009/2010 u bëmë kampion të Kosovës, ku na ishte bashkuar Ilir Bojku, dhe afaristët tjerë. Pas 18 vite u bëmë kampion, ku në ndeshjen e fundit mblodhëm 25 mijë tifozë”, kujton Hajrullahu.

Por, pse erdhi deri te kjo gjendje? “Një gjë e di, kur unë jam larguar nga klubi, si dhe Bekim Haxhiu që shkoi në FFK, në stinorin vjeshtor të kampionatit 2012/2013 kemi mbledhur 33 pikë. Në pranverë janë tubuar vetëm 15 sosh, dhe falë pikëve të vjeshtës, Trepça i shpëtoi rënies. Një vit më pas, Trepça u gjend në barazh. Kurse tani, ka mbledhur vetëm 16 pikë dhe erdhi deri tek rënia”.

Problemin e sheh edhe tek financat dhe organizimi. “Problemi ndoshta është edhe ana financiare, por krahas kësaj, duhet organizim, njerëz që e njohin sportin e jo të sjellin nejrëz që futbollin e kanë parë vetëm në TV. Psh, e kam lexuar një deklaratë të legjendës Elvis Osmani. Ai ka thënë se shkaktar i gjendjes kanë qenë ndryshimet në kryesi. Pra, njerëzit që janë ofruar në klub, nuk e dërgojnë klubin përpara”.

hajraa

Ai shpreson që Trepça do të kthehet shumë shpejtë në Superligë. “Më vjen keq nga Nexhi (kryetari), pasi njerëzit që janë në klub nuk dinë të bashkëpunojnë me të. Për shkak të këtyre pakënaqësive jam larguar me marrëveshje me Nexhin. Është kjo një marrëveshje interne mes neve. Tani ata që po e mbajnë klubin le të japin llogari, sepse ata e dinë se përse ka ardhur në këtë gjendje. Lehtë është të akuzosh federata e gjyqtarë. Unë për vete nuk e kam besuar se klubi do të vije në këtë gjendje, shpresoj që gjendja të përmriësohet, sepse Superliga pa Trepçën është e mangët”.

Trepça u largua për herë të parë nga Superliga, pas nëntë vitesh. Me vete do ta marrë edhe Ferizajn. (Gazeta Olle)