Ishte shumë pranë ta marrë drejtimin e skuadrës shqiptare, Tahir Lushtaku tregon pse dështoi gjithçka në fund

Ish-trajneri i Drenicës, Tahir Lushtaku kishte “mundësinë e artë” për të drejtuar skuadrën shqiptare, Kukësi, mirëpo mungesa e licencës, UEFA Pro Licence, ia pamundësi atij drejtimin e skuadrës nga Kategoria Superiore.

Kukësi ishte në kërkim të një trajneri tash e sa kohë dhe atë po e kërkonte në Kosovë. Pas dështimit të negociatave me Bylbyl Sokolin, Kukësi tentoi të arrinte marrëveshje me Tahir Lushtakun, raporton Paparaci.

Lushtaku ishte në bisedime të vazhdueshme me drejtuesit e Kukësit dhe palët ishin pajtuar me kushtet e vendosura, por në finalizimin e kontratës, mungesa e UEFA Pro Licence ia pamundësi atij drejtimin e skuadrës.

“Unë kam qenë në negociata me Kukësin. Negociatat kanë shkuar shumë mirë dhe kemi rënë dakord pothuajse për gjithçka, por bisedimet janë kushtëzuar nga mungesa e UEFA Pro Licence. Unë nuk jam i pajisur ende me këtë licencë, e cila është obligative për të drejtuar në Kategorinë Superiore në Shqipëri. Mua më vjen keq çfarë ka ndodhur sepse konsideroj se kjo ka qenë një mundësi shumë e mirë për mua në aspektin profesional”, ka thënë trajneri Lushtaku për Paparacin.

Ish-trajneri i Drenicës i ka bërë thirrje Federatës së Futbollit të Kosovës për të pajisur trajnerët me licencat përkatëse, teksa ka thënë se një e tillë i ishte premtuar nga kryetari Agim Ademi.

“Dua t’i bëjë thirrje Federatës së Futbollit të Kosovës që të marrë në konsideratë nevojën e trajnerëve që të marrin pjesë në trajnime dhe të licencohen me Licenca Pro të UEFA-s dhe FIFA-s. Unë kam pasur një premtim nga presidenti Agim Ademi që të jem në një nga këto trajnime vitin e kaluar, por kjo fatkeqësisht nuk ka ndodhur”, ka thënë Lushtaku.

Kukësi nuk ka arritur akoma ta gjejë trajnerin që do të marrë drejtimin e skuadrës. Klubi nga veriu i Shqipërisë ndodhet në pozitën e parafundit në tabelën e Kategorisë Superiore, me 15 pikë, 14 pikë më pak se Partizani në vendin e parë.

“Zhduket” lojtari i njohur: Nuk përgjigjet në telefonata, thuhet se është në depresion pas eliminimit nga Botërori

Largimi nga United, Lingard: Si nuk erdhi kush të më jepte shpjegim!