“Isha gati ta godisja Benitezin”

Jerzy Dudek ishte irrituar aq shumë nga mënyra se si Rafa Benitez e kishte trajtuar pas fitimit të Champions League-s, aq sa në disa raste i ka shkuar ndër mend që ta godiste me grusht në fytyrë.

Portieri polak ishte heroi i mbrëmjes së Stambollit pasi kishte pritur dy 11-metërsha ndaj Milanit duke i dhuruar kështu Kupën e 5-të Kampionëve ekipit anglez. Pavarësisht kësaj arritjeje të polakut, Benitez kishte nënshkruar me Pepe Reina-n nga Villarreal, duke e lënë në stol Dudek në momentin e tij më të mirë tek “të kuqtë”.

Trajneri spanjoll madje e pengoi për t’u transferuar në Gjermani. Portieri e kishte kaluar më pas debatin edhe në fushën stërvitore: “Isha shumë i irrituar me të, në kokën time kisha një zë që më thoshte: Godite në fytyrë, godite në fytyrë dhe do të të lërë të shkosh në Gjermani.

Për të qenë i sinqertë, me të vërtetë e konsiderova që ta godisja Rafa-n në fytyrë. Por më pas pasojat e një gjesti të tillë më kaluan nëpër mend. A do të më linte të largohesha? Apo thjesht do të shkaktoja një skandal mediatik.

Normalisht që s’do luaja më me Liverpool nëse do ta godisja në fytyrë. Të godasësh një trajner të Liverpool-it që sapo kishte fituar Championsin nuk do të dukej mirë në CV-në time, por isha shumë i zemëruar me të”, u shpreh Dudek.