Jose Mourinho nuk e mbylli në mënyrën më të mirë të mundshme aventurën me Tottenham në Premier League teksa më datë 21 maj të vitit 2021, portugezi u shkarkua nga drejtuesit e Spurs si pasojë e rezultateve të dobëta.
Së fundmi, ish-futbollisti i Tottenham, Serge Aurier që tashmë aktivizohet në radhët e spanjollëve të Villareal është rikthyer të flasë për kohën e tij dhe të Mourinhos te Tottenham ndërsa theksohet se për dështimin e skuadrës në atë periudhë, fajet më të mëdha i ka pasur ndihmësi i luzitanit, Joao Sacramento.
“Futbolli ka ndryshuar nga çfarë ka qenë dhjetë vite më parë, Mourinho mbetet një trajner i madh por disa aspekte kanë pësuar zhvillim. Ndonjëherë lojtarët kanë nevojë për më shumë dashuri dhe vëmendje. Nuk e kam problemin me Jose Mourinho, por me ndihmësin e tij, Sacramento. Ai është një tip i vështirë dhe nuk kishte marrëdhënie të mirë me dhomën e zhveshjes, prandaj pati shumë përplasje”.
“Kishte mungesë komunikimi, Sacramento e kishte eksperiencën e parë dhe i mungonte eksperienca me lojtarët. Duhej t’i kushtonte më shumë vëmendje personit se sa lojtarit sepse ndonjëherë kur nuk luan shumë, atëherë të duhet dikush që të qetësojë dhe të të relaksojë e jo të japë mesazhe negative”, u shpreh Aurier.