Ish-futbollisti kampion i Kosovës, mbetet pa skuadër!

Bashkim Shala është largimi i radhës nga skuadra e Vushtrrisë.

Njëri ndër futbollistët më të mirë të kësaj skuadre në stinorin vjeshtor të kampionatit ka vendosur të mbyll marrëveshjen me ish-kampionët e vendit.

Lajmin e ka zyrtarizuar vetë futbollisti në një prononcim për Gazetën Sheshi.

”Marrëveshjen me klubin e Vushtrrisë e kam ndërprerë. Dëshira ime ishte për të vazhduar, por gjërat nuk shkuan ashtu siç e kishim menduar. Po presim që klubi të kryejë obligimet ndaj nesh dhe të marrim dokumentacionin”, deklaroi Shala.

Autori i tre golave në kampionat dhe një tjetër në Kupë thotë se është i hapur për të biseduar me klubet tjera.

”Jam i hapur për të biseduar me klubet tjera. Tash jam futbollist i lirë dhe jam i gatshëm për të ndryshuar ambient”, përfundoi Shala.

Shala ishte pjesë e Vushtrrisë edhe në edicionin kur kjo skuadër ishte bërë kampion vendi.