Ish-at e Vushtrrisë ngacmojnë Munishin e Hajvalinë

Dy përforcimet e dimrit te Prishtina, Labinot Osmani e Bashkim Shala, kanë ngacmuar ish-trajnerin e tyre, Ismet Munishi dhe skuadrën e tij, Hajvalia, para përballjes që luhet të shtunën.

Prishtina – Hajvalia, zhvillohet në kuadër të javës 22 të Raiffeisen Superligës, dhe vlerësohet derbi i javës.

Bashkim Shala në humor e quan Hajvalinë, ekipin më të mirë në Kosovë, thënie kjo e Munishit para fillimit të kampionatit.

Kundër Hajvalisë do të jetë lojë e fortë, lojë derbi dhe Hajvalia ka ekip për kampion, ashtu siç po luftojmë edhe ne. Kanë ekip cilësor dhe e kanë trajnerin më të “mirë” në Kosovë dhe ne jemi duke u përgatitur maksimalisht për ekipin më të mirë në Kosovë, e që ndodhen në vendin e pestë dhe mendoj se do t’ia dalim të nxjerrim rezultat pozitiv kundër një këso skuadre”, ka thënë me plot humor të sinqertë pozitiv, Bashkim Shala, për uebfaqen zyrtare të Prishtinës (prishtinafc.com).

Ai rikthehet nga një lëndim i pësuar në Ferizaj.

Ndërkohë, bashkëvendasi i tij nga Vushtrria, Labinot Osmani, duket më serioz. “Mendoj që ka me qenë një lojë e mirë dhe interesante për shikues dhe le ta fiton ai që është më i mirë. Normal, kemi motiv shtesë, sepse luajmë kundër ish-trajnerit dhe disa ish-bashkëlojtarëve dhe mendoj se ka me qenë një lojë e mirë. Besoj që do të na favorizoj fusha vendase, por edhe ata kanë luajtur në këtë fushë, por sigurisht që forma momentale e jona është më e mirë, sidoqoftë lojë e lehtë nuk do të jetë”, tha Osmani, që ka shënuar katër gola për Prishtinën.

Të dy lojtarët e kishin trajner Ismet Munishin, me të cilin u bënë kampion vitin e kaluar. (Gazeta Olle)