Inzaghi përjashton nga lista Muntarin, ganezi largohet nga klubi

Sulley Muntari do të largohet nga Milani në fund të sezonit e madje do t’i kalojë edhe muajt e mbetur si i divorcuar i detyruar të jetojë brenda një çatie në klubin kuqezi. Futbollisti ganez i kërkoi Milanit që të mos e grumbullonte për takimin me Palermon dhe kërkesa e tij u plotësua me trajnerin Pippo Inzaghi që e përjashtoi nga lista.

Motivi nuk ka të bëjë aspak me ndonjë rast familjar apo pushimet e Pashkëve dhe gjithçka e shpjegoi nëpërmjet një postimi në Twitter agjenti i tij Federico Pastorello që shkruante. “Kërkesa e Muntarit ka të bëjë me faktin se ai nuk hyn në planet teknike të skuadrës për sezonin e ardhshëm”.

Në këtë mënyrë Sulley Muntari që vjen pas disa paraqitjeve negative e ka prishur përfundimisht raportin e tij me Milanin. Në klubin kuqezi po flitet që tani për të ardhmen dhe për mesfushorin nga Gana nuk ka më vend në skuadër, pavarësisht nga fakti se cili do të jetë trajneri që do të drejtojë ekipin sezonin e ardhshëm.

Milanit i duhet t’i përballojë takimet e mbetura deri në fund të sezonit pa Muntarin dhe Gallianit i duhet të gjejë edhe një zgjidhje për kontratën që skadon në Qershor të 2016. Vështirë se Milani mund të përfitojë ndonjë gjë nga shitja e futbollistit ndaj alternativa e klubit mund të jete edhe tentativa për një zgjidhje konsensuale të kontratës.