Inzaghi zbulon arsyet e dështimit

Trajneri i Milanit, Filippo Inzaghi është ankuar se numri i madh i futbollistëve të lënduar, bëri që skuadra të jetë në pozitën që është aktualisht në Serie A.

Pas 23 xhirosh, ‘Rossonerët’ janë në pozitën e 11-të, jashtë garës për kualifikim në Ligën e Kampionëve. Dhe, Inzaghi e ka gjetur fajtorin e rezultateve të dobëta.

“Kur ishim në pozitën e tretë kishim në dispozicion 95 për qind të futbollistëve, kemi rënë pasi pësuam 12-13 lëndime. Sigurisht, ky ka qenë një faktor i rëndësishëm, përndryshe nuk do të kisha nevojë që vazhdimisht ta ndryshojë formacionin”, deklaroi Inzaghi gjatë një konference për shtyp.

Me gjithë krizën dhe rezultatet e dobëta, Inzaghi ka marrë mbështetjen nga kryesia e klubit. “U falënderohem, më kanë besuar mua dhe punës time. E dinë se lëndimet na kanë penalizuar, përndryshe do të bënim diçka më shumë. Uroj që t’i sjellim gëzime presidentit tonë e sidomos në këto momente të vështira”, u shpreh ai.