Andi Hoti është rikthyer te Interi pas një sezoni si i huazuar në Bundesliga 3 te SC Freiburg II.
Mbrojtësi i talentuar nga Kosova duket se karrierën do ta vazhdoj sërish në Gjermani, por tani në një rang më të lartë se sa ishte vitin e kaluar.
20-vjeçari këtë edicion ka zhvilluar 22 ndeshje në Bundesliga 3 ku ka shënuar një gol dhe ka asistuar në një tjetër.
Hoti ka pasur paraqitje shumë të mira dhe është vlerësuar për ndeshjet e zhvilluara në nivelin e tretë të futbollit gjerman.
Magdeburg është futur në garë për lojtarin dhe sipas mediave gjermane ka gjetur marrëveshje me Interin për huazimin e tij.
Skuadra bardhekaltër bën gara në Bundesliga 2 dhe për Hotin do të jetë një hap i madh në karrierë duke pasur edhe hapësira në formacionin bazë.
Përveç Magdeburgut, në garë për lojtarin ishte edhe Grasshopper, por skuadra gjermane u tregua më e shpejtë duke siguruar shërbimet e tij.