Interi ‘blindon’ yllin e skuadrës

Lajme të mira për tifozët e Interit. Sulmuesi argjentinas Mauro Icardi ka arritur marrëveshjen me drejtuesit e klubit për rinovimin e kontratës deri në verë të 2019 për një pagë vjetore 2.5 milionë euro, plus 200 mijë euro bonus në rast kualifikimi në Champions League.

Interi nuk do të mund të përfitojë nga të drejtat e imazhit të futbollistit, i cili do të fusë në xhep edhe 1 milion euro për shkak të paraqitjeve të mira në këtë sezon futbollistik.

Ishte pikërisht ky detaj nyja që kishte vështirësuar bisedimet në këto muaj, por që është zgjidhur me konsensus. Tashmë Mauro duhet thjesht të hedhë të zezën mbi të bardhë, për të zyrtarizuar gjithcka.

Rinovimi i kontratës së Icardit është në linjë me projektin e Thohir, i cili është përpjekur t’u japë përparësi futbollistëve me moshë relativisht të re. Pikërisht në këtë drejtim drejtuesit zikaltër po vëzhgojnë në distancë rrjedhjen e ngjarjeve te Palermo, që kërkon të përfitojë sa më shumë nga shitja e Dybalas. Për këtë arsye, kanë nisur kontaktet me menaxherin e argjentinasit, për të kuptuar mundësitë që ekzistojnë për transferimin e sulmuesit në Milano. Oferta e Juventusit për Dybalan ishte 32 milionë Euro, por Zamparini kërkon 50 milionë. Palët janë ende larg, por tek Interi shpresojnë se mund ta bëjnë të tyrin Dybalan.