Interesim i jashtëzakonshëm në Gjilan, biletat kanë filluar të shiten nga ora 08:00 e mëngjesit

Ishte paralajmëruar se biletat do të shiteshin nga ora 12:00, por interesimi i jashtëzakonshëm për këtë ndeshje ka bërë që biletaria të hapet nga ora 08:00 e mëngjesit.

Gazeta OLLE gjatë mbrëmjes së kaluar kishte raportuar ekskluzivisht se deri në orën 22:00 janë shitur mbi pesë mijë bileta për ndeshjen në mes të Dritës dhe Antwerp.

OLLE ka kontaktuar personin përgjegjës për shitjen e biletave për këtë ndeshje, Arben Bislimin i cili foli rreth interesimit të qytetarëve të Gjilanit për tu pajisur me një biletë.

“Sot kemi filluar shitjen e biletave nga ora 08:00 e mëngjesit, sepse ka një interesim shumë të madh nga qytetarët për të blerë bileta, gjatë natës së kaluar biletat janë shitur deri në orët e vona, me këtë ritëm që momentalisht ka, deri nesër besoj se nuk do të mbetet asnjë ulëse e zbrazur në stadiumin legjendar Fadil Vokrri”  shtoi Bislimi për Gazetën OLLE.

Ndërkohë gjatë ditës së enjte biletat do të shitën edhe në kryeqytetin kosovar Prishtinë, pasi për ta parë këtë ndeshje nga afër është një interesim tejet i madh nga qytetarë nga qytete të ndryshme të Kosovës.

Drita njihet si skuadër me tifozë të ‘çmendur’ të cilët asnjëherë në asnjë udhëtim nuk e kanë lënë vetëm, madje edhe në Finlandë dhe në Antwerp ishin dhjetëra tifozë që përkrahën bardhekaltërtit.

Ndeshja mes Dritës dhe Antwerpit zhvillohet të enjten me fillim nga ora 20:00 në stadiumin ‘Fadil Vokrri’. /Gazeta Olle/

 

Rrahmani flet pas het-trikut të shënuar në Ligën e Konferencës: Jam shumë krenar, do ta mbaj mend gjatë gjithë jetës time këtë ditë

Armend Thaqi flet pas ndeshjes: Jemi gati të garojmë në grupet e Ligës së Konferencës