Inter Bakus i largohen 20 futbollistë

Lajme të mira vinë për skuadrën kurbinase të Laçit nga Azerbajxhani i largët, në prag të ndeshjeve eliminatore të turit të pare për Europa League. Bëhet fjalë për situatën aspak të mire që po kalon kundërshtari i laçianëve në vigjilje të sfidave europiane.

Duke iu referuar portalit sportiv azer “fanat.az” do të dallosh me lehtësi, se skuadra e njohur Inter Baku, e cila luftoi deri në çastet e fundit me Karabakun e Ansi Agollit për titullin kampion të Azerbajxhanit, është futur në një kaos së vërtetë, shkaqet e të cilit nuk janë bërë të njohura.

Në një shkrim të “fanat.az”, lidhur me merkaton e futbollit azer do të mësosh, se pas shkarkimit të trajnerit Kakhaber Tskhadadze, nga skuadra e Interit janë larguar edhe plot 20 futbollistë të tjerë, duke mbetur në skuadrën që përfundoi kampionatin, vetëm 7 lojtarë.

Sipas shortit të përcaktuar nga UEFA, skuadra e Laçit do të ndeshet në turin e parë eliminator për Europa League me skuadrën azere Inter Baku. Ndeshja e parë do të luhet në fushën sportive të Laçit më 2 korrik, ndërsa ndeshja e kthimit më 9 korrik, në Baku të Azerbajxhanit.

Për Laçin luajnë dyshja kosovare Argjend Mustafa dhe Drilon Musaj.