Inspektohet stadiumi “Adem Jashari” nga një inspektor norvegjez i UEFA-së, ja në sa pika të intervenohet

I shoqëruar nga sekretari gjeneral i Federatës së Futbollit të Kosovës Eroll Salihu dhe nënkryetari i FFK-së Agim Ademi dhe Adem Qollaku, inspektori i infrastrukturës në kuadër të UEFA-së norvegjezi Trun Bruner  për katër orë ka qëndruar në stadiumin olimpik “Adem Jashari”, për të inspektuar gjendjen e tij teknike para pranimit në organizatat ndërkombëtare të sportit më të popullarizuar.

Në këtë takim përveç zyrtarëve të FFK-së dhe ekspertit të UEFA-së morën pjesë edhe drejtuesit e skuadrës Trepça, kryetari Nexhmedin Haxhiu, drejtori sportiv Ajet Shosholli, përgjegjësi për stadium Avni Haxhiu dhe stafi tjetër i kësaj skuadre sikurse edhe zyrtarë nga komuna e Mitrovicës, drejtorët e Urbanizmit dhe Prokurimit Sami Zeka e Jeton Ujkani si dhe përfaqësues nga Policia e Kosovës.

Zyrtari norvegjez ka kërkuar nga përgjegjësit veçoritë kryesore të stadiumit, punën e deritashme të kryer nga koha e lejimit të zhvillimit të ndeshjeve ndërkombëtare, evitimin e kërkesave të mëhershme, ndërkohë që ka tërhequr vërejtjen edhe për shumë punë edhe parakushte e standarde që duhen plotësuar para se stadiumi të pranohet edhe për ndeshje kualifikuese të përfaqësueses së Kosovës.

Eroll Salihu sekretari i FFK-së ka kërkuar angazhim të komunës dhe drejtuesve të klubit që të krijohen mundësi që të plotësohen të gjitha kërkesat që do shtrohen në bashkëpunim edhe me Ministrinë e Kulturës Rinisë dhe Sportit, me qëllim që stadiumi të plotësoj standardet dhe pranohet edhe për ndeshje kualifikuese të vendit tonë, pas lajmit të mirë që pritet më 3 maj dhe pranimit të Kosovës në asociacionet ndërkombëtare.

Më pas, pas marrjes së informatave rreth punëve të deritashme, Bruner ka vizituar të gjithë stadiumin, pjesën e brendshme, tribunat, fushën dhe barin, pjesën jashtë stadiumit, vendin e parkimeve, hyrjet në stadium dhe pothuajse secilën pjesë të tij.

Drejtuesit e Klubit Trepça me këtë rast kanë ritheksuar disa nga lëshimet që janë bërë nga punë kryesi në investimet e kaluara, të cilët kanë anashkaluar projektin, kanë lënë shumë punë pa kryer dhe nuk kanë treguar cilësinë e punimeve, ndërkohë që kanë kërkuar nga Ministria dhe komuna mundësi që punët që duhet të kryhen deri në qershor, të kryhen në mbikëqyrje të punimeve dhe cilësi të punimeve.

Pas kontrollit mbi tri orësh të ambienteve të stadiumit, disa nga 39 pikat dhe kërkesat që duhen plotësuar në stadiumin olimpik për ndeshjet kualifikuese janë: rregullimi i hyrjeve, shënjimi dhe ndarja në sektorë informimi për shikuesit, banjo publike për shikuesit, numrin e tyre për gjininë femërore e mashkullore, vendosjen e ndriçimit dhe zërimit si brenda ashtu edhe jashtë, vendosjen e shtyllave për flamuj, krijimin e sallës së konferencave për gazetarët, vendosjen e gazetarëve në qendër dhe krijimin e kushteve për ta përfshirë këtu komentuesit dhe kamionët për transmetime direkt e shumë të tjera.

Ndërsa zyrtarët nga Federata dhe ata nga Klubi së bashku me përfaqësuesit komunalë duhet urgjentisht të takohen me krerët e Ministrisë me qëllim që shumë prej këtyre punëve të mund të nisen dhe përfundohen para datës 14 maj, kur prapë do vijë një delegacion tjetër nga UEFA për inspektime  të infrastrukturës sportive në vendin tonë.

Gjatë takimit është diskutuara edhe mundësia për mbështetje të kuadrit të stadiumit olimpik si njëri nga objektet që më së afërmi plotëson kriteret e përcaktuara të kategorisë së dytë, përkatësisht gjetjen e mundësisë së pagesës së stafit të stadiumit dhe gjetjen e mbështetjes për avancimin e kushteve për arritje të kategorisë që kërkohen për ndeshjet ndërkombëtare kualifikuese. (mirovicatoppress)