Ilievski preferon Pejën para Craiovas

Trajneri i skuadërs së Prishtinës, Marian Illievski në një prononcim për ‘Gazetën Olle’ pas fitores ndaj Rilskit, është shprehur i kënaqur me paraqitjen e lojtarëve duke pasur vetëm lavdata për ekipin e tij.

“Ndeshjen e nisëm dobët dhe nuk e di për çfarë arsye patëm presion. Mirëpo, pas çerekut të parë u futëm në ritmin tonë të lojës dhe gjithçka kthyem në favorin tonë. I uroj basketbollistët për këtë fitore, ndonëse ishim të hendikepuar pa lojtarin kryesor Dardan Berishën”, ka thënë trajneri i Sigal Prishtinës,Marjan Ilievski.

Ai tha se në çerekfinale preferon skuadrën e Pejës para asaj të Craiovas për shkak të udhëtimit. Sipas tij, udhëtimi në Rumani është i gjatë dhe shumë i mundimshëm. Në rast se Peja shënon fitore të mërkurën (sot) në udhëtim ndaj Mornarit kualifikohet direkt në gjysmëfinale dhe Sigal Prishtina në çerekfinale do të ketë punë me Craiovan. Mirëpo, nëse pëson humbje, atëherë derbi i rivalëve më të mëdhenjë të Kosovës do të zhvillohet në çerekfinale të Ligës Ballkanike.