Ilir Krasniqi është duke kaluar momentet më të mira në karrierë te skuadra e Llapit, ku falë paraqitjeve fantastike të mesfushorit, është shndërruar në futbollistin kyç te skuadra e Tahir Batatinës.
Krasniqi këtë vit ndihmoi skuadrën llapjane të shpallet fituese e Kupës së Kosovës, dhe të arrijë kualifikimin për në Ligën e Konferencës, aty ku Llapi do të luaj me skuadrën e Budućnost Podgorica, skuadër nga Mali i Zi.
Por jo vetëm paraqitjet fantastike me Llapin, por ylli i ri ka shkëlqyer edhe me Dardanët me U21, duke u bërë pjesë e Përfaqësueses së Kosovës nga 22 marsi 2022, ku deri më tani ka bërë pesë paraqitje, dhe shënuar një gol për Kosovën, shkruan Gazeta OLLE.
Krasniqi i cili është vetëm 22 vjeçar, ka ngritur vlerën e tij në 325 mijë euro, sipas faqes së njohur ‘transfermarkt’.
Pas rritjes së vlerës, mesfushori me tipare defensive është renditur si lojtari i katërt më i vlefshëm në BKT Superligën e Kosovës.
Francisco Rivera, Ermal Krasniqi dhe Valmir Veliu janë tre lojtarët më të vlefshëm në elitën e futbollit kosovar, duke kapur vlerën e 350 mijë euro, ndërsa i katërti është Krasniqi me 325 mijë euro, Dabiqaj përfundon listën e pesë lojtarëve më të vlefshëm me 300 mijë euro.
Pas rritjes së vlerave të lojtarëve kryesor në skuadrën bardhekaltër, Llapi është momentalisht skuadra më e vlefshme në futbollin vendor, duke u vlerësuar me 4.8 milionë euro.
/Gazeta OLLE/