Ilir Daja i bindur se ndeshja ndaj Ludogoretsit do të zhvillohet në ‘Fadil Vokrri’

Ballkani së shpejti do të nis ciklin kualifikues në garat evropiane.

Skuadra nga Suhareka do të zhvillojë takimin e parë në kualifikimet e Champions League ndaj Ludogorets.

Megjithatë, vetëm pak ditë nga ndeshja e madhe në të cilën Ballkani do të luaj si nikoqirë, skuadra e drejtuar nga Ilir Daja ende nuk e di se në cilin stadium do të zhvillohet kjo ndeshje.

GazetaBlic Sport ka kontaktuar me trajnerin, Ilir Daja për të pyetur teknikun shqiptar se sa po ndikon kjo situatë te lojtarët.

Daja u përgjigj duke thënë se kjo situatë nuk është se po ndikon shumë duke qenë se edhe në sezonin e kaluar për shkak të mbingarkesës së stadiumit ‘Fadil Vokrri’ skuadra e tij ka zhvilluar seanca stërvitore në Hajvali.

“Besoj që nuk ka ndonjë ndikim shumë të madh, pavarësisht se kjo nuk është normale, pasi ne në stadium do të zhvillojmë vetëm një ndeshje dhe një seancë përpara, edhe vjet ka ndodhur kur stadiumi ka qenë i mbingarkuar nga ndeshjet, apo i dëmtuar nga reshjet kemi bërë seancë stërvitore në Hajvali. Poashtu gjendja e stadiumit ishte jo e mirë edhe në ndeshjen me Rumaninë, koha ndoshta ka qenë e paktë në dispozicion për t’u riparuar stadiumi, por me përqindjen më të madhe ndeshja do të zhvillohet në “Fadil Vokrri“, tha fillimisht Daja.

Daja poashtu tha se përgatitjet janë duke u bërë për t’u ballafaquar me një kundërshtar që sipas tij ishte më i forti që mund t’i binte Ballkanit nga shorti, duke e cilësuar Ludogoretsin si favorit për këtë takim falë eksperiencës më të madhe në garat evropiane si Champions League e Europa League.

“Përgatitjet kanë shkuar mirë, në fazën përgatitore dhe në ndeshjet miqësore që kemi bërë, favorit natyrisht që është Ludogorets për shkak të eksperiencës që kanë në këto kompeticionet evropiane, ku kanë qenë edhe në grupet e Champions League e Europa League, ka një ekip kogja mirë të ndërtuar, janë kampion të Bullgarisë prej gati 12 vitesh. Ishte në short ekipi më i fortë prej atij grupi, por jemi në dijeni për këto vështirësi. Do të mundohemi të prezantohemi sa më mirë që të jetë e mundur dhe kënaqësia është më e madhe kur kundërshtari është më i fortë“, përfundoi Daja për ‘GazetaBlic Sport‘.

Cikalleshi largohet nga Arabia Saudite dhe kthehet në Turqi

Mount tregon arsyen që u largua nga Chelsea si dhe flet për transferimin në Old Traford