Trajneri i njohur Ilir Daja përmes një postimi në Facebook ka shprehur mirënjohje dhe falënderime për kohën e kaluar tek Ballkani.
Daja në postimin e tij falënderoi të gjithë, duke filluar nga presidenti Arsim Kabashi e deri tek tifozët dhe futbollistët që i pati në menaxhim.
Tutje, tekniku nga Shqipëria tha se po largohet nga Suhareka si një person shumë krenar për çdo trofe dhe çdo fitore që ka arritur në arenën evropiane.
Daja është shpallur tre herë kampion me Ballkanin në Superligën e Kosovës (2021/22, 2022/23, 2023/24) një herë fitues i Kupës së Kosovës (2023/24) dhe një herë fitues i Superkupës së Kosovës (2023).
Një ndër arritjet e tij më të mëdha në krye të Ballkanit mbetet fakti se u kualifikua dy herë në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës (2022/23 dhe 2023/24), duke përfunduar në pozitën e katërt me katër pikë në një grup me Sivasspor, Cluj dhe Slavia Praha.
Postimi i plotë i Ilir Dajës (pa ndërhyrje):
E dashur familja e madhe dhe prestigjoze “BALLKANI”!
I keqardhur kam pranuar faktin, se eshte momenti, qe rruget tona pas 973 ditesh te vrullshme, te jashtezakonshme, emocionuese dhe mbi te gjitha me rezultate historike, te ndahen!
Ne kete moment do te doja te perqafoja dhe falenderoja secilin nga ju qe e beri aventuren time ne Suhareke me te miren ne aspektin njerezor dhe profesional, duke filluar nga presidenti Arsim Kabashi, familjaret dhe bashkepunetoret e tij, secilin nga anetaret e stafit tim teknik, cdonjerin nga futbollistet ,cdo tifoz te Ballkanit, vecmas “Xhebrailat”, cdo qytetar te Suharekes, falenderime dhe mirenjohje pa fund
Kam nje falenderim, gjithashtu per opinionin e gjere sportiv te Kosoves,cdo rival tonin ne fushen e lojes dhe ne tribuna, secilin nga perfaqesuesit e medias dhe cdo studio televizive. Ne jemi bere me te forte, me te pjekur, me profesioniste, fale edhe rivalitetit dhe kontributit tuaj! Largohem nga Suhareka shume krenar per cdo dite te punes time aty, per cdo fitore, per cdo trofe, per cdo sukses ne garat europiane!
Pafundesisht mirenjohes per te gjithe, jashtezakonisht i lumtur ne qytetin dhe klubin ku erdha si mysafir dhe largohem i permbushur dhe ndjesine e nje pjestari te familjes se madhe “BALLKANI”, se ciles i uroj dhe deshiroj suksese te reja dhe me te medha!
Faleminderit Ballkani. /Gazeta Olle/