Ilir Avdyli rikthehet në Superligë?

Ndryshime të mëdha priten të ndodhin te skuadra e Llapit gjatë afatit kalimtar të janarit.

Krahas shumë largimeve që priten të ndodhin, në “Zahir Pajaziti” pritet të zbarkojnë edhe shumë futbollistë, shkruan Gazeta Sheshi.

Një garanci për portën është kërkesa kryesore që synon ta arrijë kryetrajneri i skuadrës Tahir Batatina, i cili në vazhdimësi ka theksuar këtë problem në stinorin pranveror të kampionatit.

Emri i Ilir Avdylit, ‘gardianit’ aktual të Kukësit është në ‘pole position’ për të ruajtur katërkëndëshin e portës llapjane në pranverë.

Avdyli me shumë mundësi do ti braktis verilindorët në afatin kalimtar të janarit për arsye familjare dhe kërkon që të rikthehet në futbollin kosovar me skuadrën e Llapit që kërkon ti rifitojë shërbimet e tij.

Avdyli ishte pjesë e Llapit në edicionin 2016/17, përpara se të transferohej te Shkëndija e Tetovës dhe të vazhdonte me aventurën te Kamza dhe Kukësi.

29 vjeçari nga Obiliqi karrierën e ka nisur te KEK-u, ndërkohë që më parë ishte pjesë e skuadrave si Drenica, Ferizaj dhe Hajvalia.