Ilievski: Festë e basketbollit, e duam finalen

Trajneri i Sigal Prishtinës, Marjan Ilievski, thotë se faza finale e IPKO Kupës, që do të mbahet në Therandë, është një festë e basketbollit. “Bardhakaltrit” do të luajnë në gjysmëfinale sot ndaj Trepçës, në kërkim të finales së këtij evenimenti, përcjell Zëri.

“E kemi përballë Trepçën, ekip me të cilin kemi luajtur një herë këtë vit. ekip që ka potencialin e vetë dhe që duhet respektuar. Edhe pse Prishtina shihet si favorite, ne kësaj ndeshjeje do t’i qasemi me seriozitetin më të madh prej fillimit”, deklaroi fillimisht Ilievski.

“Besoj se do të jetë një ndeshje e mirë, në të cilën do ta kenë rastin të luajnë të gjithë lojtarët, në mënyrë që ekipi të komponohet sa më mirë për finale. Do të jetë një festë e basketbollit në Suharekë, pasi atje krijohet një atmosferë e mirë dhe kjo do të jetë shumë mirë për adhuruesit e basketbollit, që këtë ngjarje ta shijojnë nga afër. Natyrisht, synimi ynë mbetet që ta sigurojmë këtë trofe”, përfundoi Ilievski. Kjo ndeshje fillon në orën 17:00.