ICMG: Kosova është e aftë të organizojë Lojërat Mesdhetare

Drejtuesit e Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG), së bashku me drejtuesit e Komitetit Olimpik të Kosovës, kanë mbajtur konferencë për media, me rastin e organizimit të mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv të ICMG-së.

Presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi, shprehu kënaqësinë dhe nderin që patën mundësinë të presin 26 anëtarë të shteteve të botës, për çka falënderoi të gjithë ata që kontribuan në këtë organizim.

Sekretari i përgjithshëm, Besim Aliti, foli për rëndësinë që pati organizimi i kësaj mbledhje në Kosovë. “Është hera e parë që në 71 vjet histori të ICMG një Komitet Ekzekutiv organizohet në një qytet tjetër që nuk është mikpritës i Lojërave Mesdhetare. Për neve është krenari dhe privilegj, por edhe përgjegjësi të presim anëtarë të 26 shteteve anëtare të ICMG, të cilët janë pritur edhe nga presidentja e shtetit, Vjosa Osmani dhe ministri, Hajrullah Çeku. Shpresojmë dhe besojmë që në të ardhmen e afërt ky organizim do të rritet dhe të organizojmë edhe ndonjë edicion të Lojërave Mesdhetare”, tha mes tjerash Aliti.

Presidenti i ICMG-së, Davide Tizzano, dha lëvdata të mëdha të mikpritjes së ngrohtë që iu ofrua në Kosovë. “Është kënaqësi e madhe të jemi këtu. Kemi bërë një punë të madhe këtu. Kjo është pjesa e parë e marrëveshjes dhe politikës tonë, që të rrimë afër vendeve të Komiteteve Olimpike, pasi që anëtarët e LM janë familje e madhe, dhe ne jemi të ndryshëm, por mundohemi të ndërtojmë solidaritet dhe prosperitet së bashku. Kur kemi partner si KOK është shumë e lehtë të punohet”, tha ai.

I pyetur për gjasat që ka Kosova për të organizuar ndonjë edicion të Lojërave Mesdhetare në bashkëpunim me shtetet fqinje, i pari i lëvizjes mesdhetare, theksoi se një gjë e tillë mund të ndodh. “Ne kemi dy lloje Lojërash ato të rërës dhe Loëjrat Mesdhetare. Mendoj që Komiteti Olimpik i Kosovës është i gatshëm të nis angazhimin në këto procedura, dhe këtë e kanë demonstruar me kompetencë dhe pasion, por e kanë bërë të qartë se kanë edhe ide për të ardhmen”, shtoi ai.

Sekretari i përgjithshëm i ICMG-së, Iakovos Filippousis, po ashtu vlerësoi lartë mikpritjen dhe organizimin që iu bë në Prishtinë, duke thënë se tash e dinë aftësinë që kemi si Komitetit Olimpik dhe si shtet për të organizuar edhe ngjarje tjera. Filippoussis bëri të ditur po ashtu se në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të ICMG, kanë propozuar që sekretari i përgjithshëm, Besim Aliti, të emërohet kryetar i komisionit vlerësues dhe koordinues për Lojërat Mesdhetare në Rërë 2027.

Kosova deri më tani ka marrë pjesë në dy palë Lojëra Mesdhetare, ku ka fituar 10 medalje, gjashtë të arta, një të argjendtë dhe tri të bronzta. Nëntë prej tyre janë nga sporti i xhudos dhe një e bronztë nga boksi.

Anglia dhe Franca kërkojnë gjysmëfinalen, formacionet zyrtare

Fernando Santos pritet të largohet nga Portugalia: Nesër vendoset e ardhmja ime