Ibrahimoviç në Angli, afër transferimit te Evertoni?

Zlatan Ibrahimoviç vazhdon të jetë një temë në rend të ditës te Milan. Pasi Bolonja doli jashtë luftës për shërbimet e tij, Napoli e më pas Evertoni, u përfshinë në të. 

Me klubin anglez madje përflitet të jetë takuar edhe Mino Raiola, i cili ka diskutuar ofertën e tyre.

Interesi nuk gjen konfirmim nga mediat britanike, aq sa kjo mund të jetë edhe një manovër e menaxherit për të nxitur Milanin të rrisë ofertën prej 6 milionë eurosh për 18 muaj, që i ka dorëzuar pak javë më parë suedezit.

Lojtari pritej të zgjidhte “Djallin” dhe njoftimi duhej të vinte në mesin e kësaj jave, por fundjava është pranë dhe 38-vjeçari nuk po njofton qëllimet e tij, aq më tepër që rikthimi në Itali mund të lidhet papritmas me Napolin.

Skuadra jugore ka marrë si trajner Xhenaro Gatuzon, ishshok skuadre dhe mik i Zlatanit.

Në konferencën për shtyp, Rino e cilësoi si fantastik dhe nëse De Laurentis pranon të barazojë ofertën e Milanit, skenari mund të ndryshojë.

Në favor të Napolit është fakti se shanset për një vend në Champions i kanë më të larta, teksa kundër qyteti bregdetar është bashkëshortja e Ibrës, Helena, e cila e sheh Milanon si destinacionin e duhur për karrierën e lojtarit, por edhe për punën e saj, duke qenë se prej vitesh merret me modë.

Duke qëndruar te vendimi i sulmuesit, pikërisht vonesa e përgjigjes së tij thuhet se i ka acaruar drejtuesit në “Casa Milan”, të cilët shpresonin në një kohë më të shkurtuar të arritjes së akordit, madje shpresa kuqezi shkonte deri aty sa të hamendësohej një debutim i Ibrës më 15 dhjetor, pasi pikërisht në sfidën me Sasulon klubi do të festojë 120 vjetorin e themelimit.