Ibrahimaj flet për transferimin në Rusi dhe ka disa fjalë për përzgjedhësin Bernard Challandes

Ylldren Ibrahimaj bëri hap të madh në karrierë duke ndërruar klubin dhe duke shkuar në një ambient krejtësisht të ri.

Mund të vlerësohet si ndryshim pozitiv, pasi elita e futbollit të Rusisë konsiderohet shumë më e fortë se ajo e Norvegjisë.

Javë më parë Ibrahimaj, 25-vjeçar, u zyrtarizua te skuadra e Uralit me kontratë të vlefshme për tri vjet e gjysmë. Ai e la Vikingun, klubin norvegjez te i cili bëri emër.

Në “Eliteserien” të Norvegjisë në edicionin e kaluar që përfundoi në dhjetor, Ibrahimaj luajti në 29 ndeshje, realizoi shtatë gola e asistoi në tri raste.

Statistika të ngjashme ai shpreson që të ketë edhe në elitën e futbollit rus, të cilën e konsideron shumë të vështirë.

“Po ndihem shumë mirë te Urali. Po kalojmë shumë mirë, ndërsa fazën përgatitore po e kryejmë në Dubai. Është gjë e mirë pasi edhe kam nisur të luajë menjëherë me ekipin në ndeshje miqësore”, ka thënë Ibrahimaj për KOHËN, të dielën.

Urali në ndeshjen e parë miqësore në Dubai fitoi kundër Krasnodarit me rezultatin 3:1. Minuta pati edhe Ibrahimaj.

“Loja e parë miqësore kundër Krasnodarit përfundoi shumë mirë. Fituam me rezultatin 3:1 dhe pata paraqitje të mirë”, shtoi ai.

Urali e luajti edhe një tjetër miqësore kundër Livas dhe e fitoi 2:1.

Ëndrra e Ibrahimajt ka qenë gjithmonë që të përparojë në karrierë e të luajë te ndonjë klub jashtë Norvegjisë. Sidoqoftë janë paraqitjet te Vikingu që bënë që ai të grumbullohet nga përzgjedhësi i Kosovës, Bernard Challandes. Kosova do t’i ketë ndeshjet e rëndësishme kualifikuese për Botëror që nisin në muajin mars, ndërsa Ibrahimaj shpreson që ta fitojë besimin e përzgjedhësit zviceran e të ftohet sërish. Deri tani nuk e ka pasur rastin të luajë me “dardanët” në ndeshje zyrtare, por beson në kualitetet që i ka dhe shpreson ta ketë rastin së shpejti.

“Besoj që me paraqitje të mira te Urali do ta fitoj edhe besimin e Bernard Challandesit. Dëshira ime më e madhe është që të luajë për Kosovën. Nuk e kam pasur rastin ende të luaj, por shpresoj që një gjë e tillë të ndodhë së shpejti”, shtoi ai.

25-vjeçari nga Kosova që luan në pozitën e sulmuesit të krahut të djathtë shpreson që ta bind edhe trajnerin e ekipit që të ketë sa më shumë minutazhë në fushë. Për këtë, premton se do të bëj punë të madhe.

“Niveli i ekipit është shumë i mirë dhe ka konkurrencë të madhe. Por, unë do të punoj fort që ta bind trajnerin e ekipit me paraqitje të mira”.

Ibrahimaj ka bërë edhe krahasimin e kampionatit norvegjez me atë rus. E pranon se do ta ketë të vështirë ambientimin me ligën e re, por nuk e sheh të pamundur.

“Dallimi i kampionatit norvegjez me atë rus është se në Rusi luhet më shumë futboll fizik. E fizikisht unë jam shumë mirë dhe shpresoj që të kem suksese”, përfundoi ai.

Synimi i Ibrahimajt është që të zhvillohet dhe të bëhet sa më i mirë që është e mundur. Synim tjetër është që me Uralin të luajë në gara evropiane. Aktualisht skuadra e tij është larg që ta arrijë një gjë të tillë. Është në vendin e 12-të me 21 pikë.

Ky ekip u ngjit në elitën e futbollit të Rusisë në edicionin 2012/13.