Ibër Alaj: Vendimi i Qeverisë vlen edhe për sportet ekipore

Ushtruesi i detyrës së sekretarit të përgjithshëm në Ministrinë për Kulturë, Rini e Sport, Ibër Alaj, ka deklaruar se vendimi i mbrëmshëm i Qeverisë së Kosovës vlen për të gjitha sportet.

Edhe pse mbrëmë nuk u përmenden sportet ekipore, Alaj, thekson se vendimi është për të gjithë.

Prej sot të gjitha sportet do të lejohen të zhvillojnë aktivitetet sportive, gjithnjë duke iu përmbajtur protokoleve për mbrojtje nga pandemia Covid 19.

“Ne ia kemi dërguar rekomandimet Qeverisë dhe vendimet e marra vlejnë për të gjitha sportet, përfshirë edhe sportet ekipore”, thotë Alaj për Gazetën Olle, sipas të cilit mos përmendja e pikës për sportet ekipore ka mundur të jetë gabim teknik.

Ai ka treguar edhe rekomandimet që ia kanë dhënë Qeverisë, të cilat janë si më poshtë:

1.3 Lejohen aktivitetet sportive ne hapësira te mbyllura, stërvitjet dhe garat mund te organizohen në sportet individuale, në hapësirat e mbyllura, gjatë stërvitjeve mund të marrin pjesë deri në 30 persona ndërsa në organizimin e garave marrin pjesë deri në 50 persona sipas protokolleve dhe udhëzimeve të organizatave shëndetësorë vendore e nderkombetare dhe masat sportive. Përdorimi i termometrit është i detyrueshëm gjatë hyrjeve në objekte të mbyllura sportive si dhe në hapësirat e hapura sportive.

 

1.4 Lejohen aktivitetet sportive hapësira te hapura, stërvitjet dhe garat mund te organizohen në sportet individuale dhe kolektive, në hapësirat e hapura, gjatë stërvitjeve mund të marrin pjesë deri në 50 persona ndërsa në organizimin e garave marrin pjesë deri në 70 persona sipas protokolleve dhe udhëzimeve të organizatave shëndetësorë vendore e nderkombetare dhe masat sportive. Përdorimi i termometrit është i detyrueshëm gjatë hyrjeve në objekte të mbyllura sportive si dhe në hapësirat e hapura sportive.