I shpëtoi ekzekutimit nga paramilitarët, sot vlerëson gjyqtarët

Më 14 prill 1999, saktësisht sot 17 vite më parë, ish-gjyqtari i futbollit kosovar, Isa Mustafa e kishte parë vdekjen me sy, teksa në rrugën e “Kovaçëve” në Mitrovicë u ekzekutuan 24 bashkëvendës të tij nga forcat paramilitare serbe.

Aktualisht kontrollor i gjyqtarëve në Superligë, Mustafa ishte ndarë nga djali tri vjeç, gruaja shtatzënë, e babai plak, për t’u dërguar drejt vdekjes.

“Aty prej grupit janë ekzekutuar katër, prej nëntë që kemi qenë. Ka ardhur urdhri se u mbush numri dhe mos vrisni më. Neve na liruan dhe na përcollën deri tek rruga kryesore. Aty i kam parë edhe kur janë ekzekutuar Skender Paçarada, Fatmir Mustafa, kushëriri im, Avni Abazi dhe Mehmet Deferi. Kurse më të keqes i kemi shpëtuar unë, Shefki Kosumi, Mentor Mehana, Xhemshit Ismajli dhe Behgjet Ferizi”, ka rrëfyer Mustafa për Gazetën Sheshi.

“Më 14 prill të vitit 1999, rreth mesditës, ushtarë serbë të armatosur kanë hyrë në shtëpinë time dhe na kanë urdhëruar të gjithëve të dalim jashtë. Përveç familjes sime në shtëpi kanë qenë edhe Shefki Kasumi, dhëndër i dajës, si dhe Shemsi Kalludra me familje. Pasi kemi dalë nga shtëpia në rrugë, meshkujt i kanë detyruar që me duar të ngritura lartë të mbështeten nga muri, ndërsa gratë dhe fëmijët i kanë nisur në drejtim të rrugës kryesore me porosinë që të shkojnë drejtë në Shqipëri”, ka shtuar Mustafa.

Sipas tij, të gjithë meshkujt e lagjes i kanë tubuar në një vend të njëjtë dhe i kanë urdhëruar të qëndrojnë të mbështetur për muri me duar të ngritura lartë. Pastaj janë rrahur vazhdimisht me shufra të hekurit e disa prej tyre edhe janë ekzekutuar.

“Është një episod shumë i hidhur në jetën time të cilën nuk kisha dashur ta kujtoj as edhe për një çast. Por, nuk po mundem ta harroj”, përfundoi Mustafa, i cili me lot në kujton të rënët.

Sot, Mustafa është nga kontrollorët më të vlerësuar në Kosovë.