Gjilani dhe Malisheva kanë luajtur baras 2-2 në një sfidë shumë interesante.
Ka qenë një ndeshje që mysafirët dy herë krijuan epërsinë me Ronald Sobowalen e Bleart Tolajn, por Gjilani barazoi me Albert Dabiqajn e Mevlan Zekën.
Në fakt gjilanasit barazuan me dy penallti, ku e para u shënua nga Dabiqaj, derisa e dyta u humb nga Zeka, por nga topi i rikthyer sulmuesi gjakovar shënoi.
Gjilani shënoi gol edhe në minutën e 93-të, por që u anulua nga VAR-i shkaku i pozitës jashtë loje.
Ndihmëstrajneri i Gjilanit, Alban Hyseni ka folur pas ndeshjes duke thënë se kanë merituar më shumë se një pikë.
“Ne kemi dominuar në këtë ndeshje si me raste ashtu edhe me posedim të topit dhe gjithçka tjetër”.
“Mendoj se kemi merituar më shumë, por ky është futbolli dhe ndalesh në barazim”, u shpreh Hyseni.
Me këtë pikë të fituar, Gjilani vazhdon në pozitën e tretë në tabelë me 29 pikë të grumbulluara. /Gazeta Olle/