Hummels mes dy ‘zjarrëve’

Dy janë opsionet që Borussia e Dortmundit i ka vendosur mbi tryezë kapitenit Mats Hummels, rinovim të kontratës ose lamtumirë në fund të sezonit. Vetë lojtari ka pohuar se është në periudhë reflektimi, duke mos e përjashtuar kështu largimin, ndërkohë që te verdhezinjtë shpresojnë shumë te qëndrimi i tij. Pas shefit ekzekutiv Watzke, është drejtori sportiv Michael Zorc ai që fton Hummels që gjatë reflektimit të marrë parasysh se për klubin, mbrojtësi mbetet i dëshiruar.

“Duam që planet e Dortmundit të vazhdojnë me Hummels në të ardhmen. Dialogu në lidhje me zgjatjen e bashkëpunimit do të vazhdojë dhe ne jemi optimistë se Mats do të jetë pjesë e Dortmundit edhe për sezonet e ardhshme”.

Sipas mediave vendase, 8 herë kampionët e Gjermanisë janë gati t’i ofrojnë kapitenit një kontratë përtej vitit 2017 dhe me pagë më të lartë, por në rast refuzimi, largimi i tij mund të jetë i parakohshëm. Vazhdimisht flitet për Manchester United e ndërkohë në këtë situatë ndërhyn edhe Franz Beckenbauer. Legjenda e futbollit gjerman e shtyn 26-vjeçarin drejt Djajve të Kuq, duke thënë se Hummels është në moshën ideale për të luajtur në Angli.