Hummels jep alarmin

Borussia e Dortmundit duhet të sigurojë mbijetesën përpara se të mendojë për një kualfikim të mundëshëm në kompeticionet europiane për sezonin e ardhshëm, është ky mendimi i kapiteni të skuadrës verdhezi Mats Hummels. Dortmundi pasi zhvilloi një fazë të parë shumë të keqe duke u pozicionuar në vendin e fundit të klasfikimit në Bundesligë arriti të ringrihej falë disa rezultateve pozitive radhazi por edhe pse aktualisht Borussia gjendet në vendin e 10 në kuotën e 33 pikëve, 8 më shumë se Hamburgu që pozicionohet i 16-ti dhe 4 pikë më pak se Hoffenhemi që renditet i 7-ti, sipas Hummels parësore për skuadrën e tij është të sigurojë sa më shpejt mbijetesën.

“Pas dy barazimeve radhazi u rikthyem te fitorja në ndeshjen ndaj Hannoverit, unë mendoj se duhet të ndjekim këtë rrugë nëse nuk dëshirojmë të kemi surpriza të hidhura në pjesën e mbetur të kampionatit. Nuk e nisëm në mënyrën më të mirë fazën e dytë por më pas arritëm një seri prej 4 fitoresh radhazi që na ndihmoi t’i largoheshim fundit të klasfikimit. Gjithsesi pas këtyre 4 fitoreve u frenuam sërish dhe dicka e tillë na penalizoi shumë pasi shanset tona për të kapur Europën janë të pakta. Tashmë kemi përpara ndeshje shumë të vështira duke filluar që nga sfida e kësaj fundjave ndaj Bayernit për të vijuar më pas me përballjet ndaj Hoffenheimit, G’ladbahut dhe Wolfsburgut madje tre prej tyre i kemi jashtë fushës tonë. Kështu që e rëndësishme për ne në këto sfida do të jetë  të grumbullojmë sa më shumë pikë për të siguruar mbijetesën pasi kalendari nuk na favorizon për të synuar zonën europiane”.

Gjatë muajve të fundit Mats Hummels është lidhur shpesh me një transferim të mundshëm te Manchester United. Por edhe pse 26-vjecari e pranoi se po shqyrton të gjitha opsionet përsa i përket të ardhmes së tij, ai deklaroi se nuk ka asnjë parakontratë mes tij dhe Djajëve të Kuq.