Huliganët në Ballkanin perëndimor, ja si renditen Kosova dhe Shqipëria

Duke marrë shkas nga ngjarjet e pakëndshme me tifozët që ndodhën në përfundimin e ndeshjes Tirana-Zrinjski Mostar, “Panorama Sport” ka zgjedhur të publikojë një raport të nxjerrë nga Iniciativa Globale kundër Krimit të Organizuar, në lidhje me sjelljen, por edhe tiparet përcaktuese të huliganizmit në Ballkanin Perëndimor, duke analizuar 122 grupe tifozësh.

Ekstremizmi nacionalist, dhuna, lidhjet me krimin e organizuar dhe politikën janë tiparet përcaktuese të huliganizmit në Ballkanin Perëndimor, sipas një raporti të Iniciativës Globale kundër Krimit të Organizuar (GITOC). GITOC anketoi sjelljen e tifozëve të futbollit në të gjithë Ballkanin Perëndimor, duke bërë një dallim midis anëtarësimit në “grupime ultras”, që janë tifozët që mbështesin ekipet e tyre në mënyrë fanatike dhe “huliganë” që angazhohen në krim të organizuar dhe dhunë. Duke u mbështetur te harta për klubet kryesore në gjashtë vende të ndryshme, raporti zbuloi se “huliganizmi i futbollit në 6 shtetet e Ballkanit Perëndimor është një ‘koktej’ potencialisht shpërthyes për shkak të lidhjeve me politikën, ekstremizmin etnik dhe fetar, si dhe krimin e organizuar”.

REKRUTIMI – Në rastin më të mirë, të rinjtë në Ballkanin Perëndimor bashkohen me grupet ultras për një ndjenjë përkatësie e identiteti dhe për shkak se grupet e mirorganizuara të tifozëve u ofrojnë atyre llojin e strukturës që u mungon diku tjetër. Megjithatë, pjesëmarrja në grupime më të dhunshme mund të shërbejë si pikë hyrëse në krim dhe ekstremizëm nacionalist. Tifozët e rinj fillimisht rekrutohen për të sulmuar policinë ose tifozët rivalë, përpara se të shtyhen në keqbërje më të mëdha, si shitja e drogave të forta ose shërbimi ndaj politikanit që është i lidhur me krimin e organizuar. “Dhuna në skenën e ultrasve ka të bëjë më shumë me krimin e organizuar dhe politikën sesa me futbollin”, thuhet në raport.

290208499_725231968765577_6200818783136321242_n (1)

NACIONALIZMI – Nacionalizmi gjithashtu luan një rol të madh në skenën e futbollit të Ballkanit Perëndimor, ku aleancat kombëtare shpesh janë shkaku i dhunës në stadiume dhe jashtë tyre. “Nuk ka nevojë që të bësh thirrje në rrjete sociale për rekrutim, pasi të rinjtë u bashkohen grupeve të tifozëve me dëshirën e tyre. Indoktrinimi në nacionalizëm ekstrem ose rekrutimi në grupe kriminale zakonisht ndodh jashtë linje, qoftë në stadiume ose nëpërmjet kontakteve personale me grupe huliganësh apo ultras”, zbuloi GITOC. Raporti zbuloi gjithashtu se partitë politike përdorin grupe huliganësh për të promovuar qëllimet partiake dhe për të nxitur tensione etnike përpara zgjedhjeve.

RREZIKU SIPAS SHTETEVE – Situata me huliganë është shqetësuese në Bosnjë, Maqedoninë e Veriut dhe Serbi, ndërkohë Shqipëria është një nga rastet më të lehta. Duke parë grafikun e publikuar, risku i dhunës nga tifozët në Shqipëri dhe Kosovë është mesatar, ndërsa në Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi është i lartë. Kryesimin e mban Serbia me Bosnjën që janë klasifikuar me një risk shumë të lartë në lidhje me dhunën.

LIDHJET ME POLITIKËN – Në tri shtete të Ballkanit Perëndimor lidhjet e grupimeve ultras me politikën shfaqen me një risk të lartë. Përkatësisht Bosnja, Serbia dhe Maqedonia e Veriut. Ndërkohë, në Kosovë këto lidhje kanë një risk mesatar, ndërsa në Shqipëri dhe Malin e Zi lidhjet e tifogrupeve me politikën janë me risk të ulët.

KRIMI – Për të kaluar të tipari i tretë, që është lidhja me krimin. Nga të gjashta shtetet e renditura, vetëm në Shqipëri nuk ka grupime ultrasish apo huliganësh që janë të lidhur me krimin e organizuar. Ndërsa risku është i ulët në tri shtete të tjera, si Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mal i Zi. Por po të shohësh raportin, del që në Bosnjë, risku është në nivel mesatar dhe në Serbi i lartë, që do të thotë se në këtë të fundit ka grupime huliganësh që kanë lidhje me krimin e organizuar. Në fund, GITOC rekomandon t’u kushtohet vëmendje më e madhe kushteve sociale që motivojnë të rinjtë e pambrojtur të përfshihen në huliganizmin e futbollit, i cili mund të shërbejë si pikë hyrëse për krimin e organizuar.

Fantastik Edon Zhegrova, kalon me lehtësi kundërshtarët në ndeshje miqësore (VIDEO)

Befason Dren Gashi, largohet nga skuadra me të cilën kishte nënshkruar ditë më parë