Hoxha i Tiranës ‘kapet’ me Dukën

Ahmed Kalaja, hoxha i Xhamisë së Tiranës, nuk e ka mirëpritur fjalën e presidentit të FSHF-së, Armand Duka.

Ahmed Kalaja, hoxha i Xhamisë së Tiranës, ka lëshuar një njoftim në rrjetin social Facebook pas deklaratës së presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Dukës.

Ky i fundit ka thënë se futbollistët e Kombëtares nuk duhet të shkojnë në xhami dhe kishë me simbole të skuadrës.

Reagimi i Kalas në rrjetin social “Facebook” është bërë shtysë që gazeta “Panorama Sport” të kontaktojë personalisht me hoxhën për të marrë një reagim të tij.

“Dua të bëj një sqarim sepse në rrjetet sociale është thënë që z.Duka ka ndaluar futbollistët e Kombëtares të shkojnë në xhami. Për të qenë korrekt, z. Duka është shprehur se nuk i pëlqen vajtja në grup apo me uniformë”, ka deklaruar ai.

“Mendoj se nuk ka asgjë të keqe, përkundrazi mendoj se futbollistët ndihen më të plotë, më të motivuar për të fituar një ndeshje, pasi vajtja në xhami është forcë shpirtërore dhe fizike, shpesh na ka munguar shpresa për të mos u bërë pesimist po për të luftuar deri në fund për fitore”, ka theksuar ai.