Houston në finale të Perëndimit

Houston Rockets pas 18 vitesh është sërish në finalen e Konferencës së Perëndimit. Skuadra teksane mund të konsiderohet si surpriza e vërtetë e fazës play-off pasi arriti të përmbyste një disavantazh 3-1 me ndeshje ndaj Los Angeles Clippers, duke fituar tre takimit e fundit të serisë së gjysmëfinales për tu kualifikuar në finalen e madhe të Konferencës me shifrat e përgjithshme 4-3. 113-100 në favor të Houstonit ishte rezultati i sfidës së Toyota Center. Te skuadra e trajnerit Kevin McHale spikati edhe njëherë tjetër loja e James Harden. 31 pikë 8 asiste dhe 7 rebound koleksionoi në total ylli i Rockets duke bërë të pavlefshme edhe paraqitjen pozitive të dyshes Blake Griffin-Chris Paul për Clippers. I pari e mbylli sfidën me 27 pikë 11 rebound dhe 6 asiste ndërsa Paul shtoi 26 pikë 10 asiste dhe 5 topa të zotëruar nën tabelë. Në Texas sfida nisi nën shenjën e të zotëve të shtëpisë.

Perioda e parë u mbyll me shifrat 28-21 në favor të Rockets. Ndërkohë në gjysmën e periodës së dytë Houston kryesonte me 15 pikë avantazh përpara se miqtë nga Los Angelesi të regjistronin një rezultat të pjesshëm 13-4 për ta ngushtuar distancën në vetëm 6 pikë. Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 56-46 për Houston-in, ndërkohë që në fraksionin e dytë James Harden me shokë arritën ta administronin shumë mirë avantazhin duke mos e vendosur asnjëherë në diskutim fitoren. Përvec Harden te skuadra teksane spikati me lojën e tij edhe Trevor Ariza që koleksionoi në total 22 pikë 7 topa nën tabelë dhe 3 asiste, ndërsa Dwight Howard ndihmoi të tijët me 16 pikë dhe 15 rebound.

Pavarsisht përpjekjeve të dyshes Griffin-Paul vendasit jo vetëm që e administruan shumë mirë avantazhin prej 10 pikësh të pjesës së parë por e zgjatën edhe më shumë atë, duke bërë që sfida e Toyota Center të përfundonte me rezultatin 113-100 në favor të Houstonit, që tashmë e sheh veten në finalen e madhe të Konferencës së Perëndimit ku do të gjejë përballë kryesuesit e sezonit të rregullt Golden State Warriors që janë favoritët kryesorë për titullin e Nba. Spektakli pritet të arrijë kulmin kur përballë njëri-tjetrit të vendosen Stephen Curry dhe James Harden dy nga yjet e momentit dhe të së ardhmes në basketbollin amerikan, ndërsa një duel më vete do të jete edhe ai mes Klay Thompson dhe Dwight Howard.