Historike: Nesër Kosovën e viziton numri një i sportit botëror

 

Të premten nuk ka lajm historik. Të premten ka vizitë historike. Nuk vjen Barack Obama, por njeriu i parë i sportit botëror. Është Tomas Bach, presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, që për dy ditë do të vizitojë vendin tonë.

Ai do të pritet nga presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga dhe më pas nga kryeministri Isa Mustafa.

“Qytetarët e Kosovës e presin një njeri të cilin lëvizja botërore olimpike e konsideron si njeriun më të madh. Është vizita më e rëndësishme që ju ka bërë Kosovës”, tha Hasani në konferencën për shtyp, shkruan GazetaOlle.com.

“Normalisht do të takohet me përfaqësues të federatave, sponzorë, dhe për nder të tij, populli i Kosovës do të organizojë vrapimin për nder të ditës olimpike, ku vrapojnë fëmijët e lindur në vitin 2008, në vitin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës”, shtoi ai.

Kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, ka zbuluar agjendën e tij, derisa ka theksuar se kjo është një vizitë historike jo vetëm për Kosovën, por për gjithë Ballkanin.

“31 vite kanë kaluar nga vizita e fundit e një presidenti të KON-it në shtetet e Ballkanit. Hera e fundit 1984, kur janë mbajtur Lojërat Olimpike Dimërore”, theksoi numri një i KOK-ut. (Gazeta Olle)