Heat thellojnë krizën e Nets

Dywane Wade shkëlqeu për Miami Heat me 28 pikë në suksesin 104-98 të ekipit nga Florida, përballë Brooklyn Nets, që me humbjen e pestë radhazi janë zyrtarisht në krizë. Në “American Airlines Arena”, Brooks Lopez i dha epërsinë miqve me 6-4 në fillimin e lojës, por situata në ndeshje ndryshoi shumë shpejt me Heat që morën kryesimin me një +8, përpara se në pushimin e parë të shkonin në shifrat 34-23, falë dhe një goditje të saktë për 3 trë Udonis Haslem. Loja e Wade filloi të bëhej e dukshme në pjesën e dytë, me Miamin që pas vetëm 3 minutash në këtë fraksion e pa veten në epërsi 41-28.

Heat madje për një moment arritën dhe të krijonin një avantazh prej 18 pikësh, përpara se Brooklyn të rizgjohej duke shkurtuar disi shifrat, dhe pse në fundin e pjesës Heat sërish kryesonin po me 11 pikë, për shifrat 62-51. Deron Williams me një tre pikësh arriti të afrojë Nets në -8, por Goran Dragic, që e mbylli takimin me 17 pikë, me depërtimet e tij ngriti sërish epërsinë në +15. Në pjesën e fundit të lojës, rezultati shënonte 82-67 për ekipin nga Florida, që uli disi ritmin me Jarret Jack që shënoi 8 pikë radhazi për Nets duke reduktuar rezultatin deri në 98-93, kur mbetej dhe vetëm një minutë për t’u luajtur. Gjithsesi Heat u shkëputën menjëherë në 101-93 për të mbyllur më pas ndeshjen me një +6 për shifrat 104-98.