Haxhiu: Po thyejmë rekorde negative

Trepça është një ndër klubet më të vjetra në Kosovë. Ekipi nga Mitrovica po kalon formë mjaft të dobët në këtë edicion.

Kur kanë kaluar 22 xhiro në elitën e futbollit kosovar, ‘Xehetarët’ ndodhen në vendin e fundit me vetëm 15 pikë të tubuara. Kryetari i klubit, Nexhmedin Haxhiu, e ka shprehur shqetësimin e tij në një prononcim për sportal.al.

“Më të vërtet jam shumë i befasuar. Nuk ka ndodhur kurrë në histori të klubit që të regjistrojmë shtatë humbje radhazi. Po thyejmë rekorde negative. Në dy ndeshjet e fundit kemi luajtur mirë, por nuk po jemi konkret në realizimin e aksioneve”, ka thënë Nexhemdin Haxhiu.

Trepça drejtohet nga trajneri Ajet Shosholli. “Nuk besoj që i ka fajet trajneri. Ajeti është edhe anëtar i klubit”, përfundoi Haxhiu.