Haxhi Krasniqi e kujton kohën e luftës

Haxhi Krasniqi e ka kujtuar periudhën e luftës në Kosovë, prej nga kishte ikur me familjen kur ishte i vogël. “Kam parë shumë vuajtje dhe vrasje. Gjëra shumë të këqija, që në realitet nuk do të duhej t’i shihte kurrë një fëmijë”, deklaroi boksieri kosovar për mediat gjermane, përcjell ‘Zëri’.

“Dëshironim të dilnim për të luajtur, por kemi dëgjuar krisma dhe eksplodime. Kishte tym gjithandej. Nuk e dinim se çka po ndodhte. Nëna e jonë ishte në panik të madh dhe u larguam nga shtëpia”, kujton Haxhiu momentet e tmerrit në Junik, gjatë luftës së fundit.

Së bashku me dy vëllezërit e tij dhe nënën, Krasniqi ishte detyruar ta linte Kosovën. “Babai im ndodhej në Gjermani në ato momente. Ishte viktimë e persekutimit politik dhe i ishte dashur të ikte, sepse frikësohej për jetën e tij. Nuk jemi parë me të plot pesë vjet”, kujton Haxhiu.

Ai më pas me familje kishin shkuar në Shqipëri për një kohë dhe më pas ishin kthyer në Kosovë, pas luftës. Por, kur i kishte mbushur 17 vjet, kishte shkuar në Gjermani, tek babai. Nga ajo kohë, nisi gjithçka në karrierën e lavdishme të Krasniqit, e cila mund të kurorëzohet të shtunën me titullin e kampionit të botës.