Hasani e Ibraimi u ‘testuan’ në Kolegjin Universi

Para disa ditësh, më saktësisht më 6 e 7 qershor, futbollistët e Shkëndijës së Tetovës i kanë kryer testet mjekësore në Kolegjin Universi. Por, në këto teste nuk ishin të pranishëm Ferhan Hasani dhe Besart Ibraimi, për shkak se ata ende nuk ishin pjesë e skuadrës tetovare.

Të dielën e kaluar, ndërkaq, të dy futbollistët i kanë kryer testet mjekësore në Kolegjin Universi dhe do të jenë në shërbim të trajnerit Shpëtim Duro, për edicionin e ardhshëm.

Hasani (25 vjeçar) më parë ka luajtur në Gjermani, te skuadra Wolfsburg, ndërsa kohëve të fundit ai ka qenë pjesë e skuadrës daneze, Brondby.

Nga ana tjetër, Ibraimi (29-vjeçar) për një vit ka luajtur në skuadrën gjermane, Schalke 04, ndërsa pjesën më të madhe të karrierës e ka zhvilluar në Ukrainë, duke veshur fanellat e skuadrave si Sevastopol, Tavria, Metalurg Zaporozhje, ndërsa një kohë ai ka luajtur edhe në Qipro.

Me këta dy futbollistë, që janë edhe anëtarë të Përfaqësueses së Maqedonisë, skuadra e Shkëndijës duket të jetë shumë e përforcuar për edicionin e ri, duke  qenë se është pjesë e garave të Ligës së Evropës. Në ndeshjen e parë, e cila do të zhvillohet në Tetovë (2 korrik), skuadra kuqezi përballë do ta ketë skuadrën e njohur skoceze, Aberdeen.

F B