Haradini i lumtur me titullin që po kthehet në Prishtinë, por këto transferime i premton klubit

Aksionari më i madh i klubit të Prishtinës, Rrahman Haradini shprehet shumë i lumtur me angazhimin e futbollistëve dhe stafit të klubit nga kryeqyteti në stinorin 2020/21.

FC Prishtinës i duhet vetëm edhe një pikë që zyrtarisht ta fitojë titullin kampion të këtij sezoni.

Rrahman Haradini, aksionari më i madh në klubin kosovar, FC Prishtina ka potencuar se gëzohet që titulli mund t’iu kthehet “Plisave”, ndërsa shton se merita i takon lojtarëve dhe trajnerit.

“Më vjen mirë për tifozët tanë ‘Plisat’ të cilët janë më të mirët në shqiptari, kontributi është i të gjithëve, sidomos i lojtarëve dhe trajnerit, por na duhet edhe një pikë e artë t’a arrijmë objektivin tonë”, tha fillimisht Rrahman Haradini, aksionari më i madh i Prishtinës për “GazetaBlic Sport”.

Haradini thekson se do të ketë premio për të gjithë lojtarët në rast se shpallen kampion.

“Premio ka pasur gjatë gjithë kampionatit, secili e ka në kontratë të cekur premion për titull të kampionit. Luanat bardhë e kaltër e meritojnë”, vazhdoi ai.

Në fund Haradini tha se FC Prishtina do të bëjë transferime të mëdha, jo vetëm këtë merkato, por gjithmonë.

“Normalisht që do të ketë transferime të mira, për çdo vit, jo vetem sivjet”, përfundoi Haradini.

Vlen të theksohet se Prishtina të dielën takohet me Gjilanin, ku në rast se merr një fitore apo barazim, atëherë shpallen kampion të Superligës së Kosovës.