Dje është mbyllur afati i janarit në Serie A. Nedim Bajrami do të vijojë të mbetet pjesë e Empolit, edhe për të paktën këtë sezon.
Ylli shqiptar, po kalon një formë fantastike, teksa ka zgjuar interesin e klubeve prestigjioze italiane, si Milan, Juventus, Lazio apo Napoli, por mesa duket e kanë menduar për në verë, ku pritet të vijë edhe hapi i madh në karrierë.
Së fundmi raportohet nga mediat italiane se Bajrami ka refuzuar Sassuolon që e donte që tani në janar. Fantazisti ka si synim transferimin te një klub i madh për të shpalosur talentin e tij. Nuk mbetet gjë tjetër veç se mesfushori të vazhdojë me këto ritme, pasi e ardhmja e tij pritet të jetë mjaft e ndritur.
I aftë të ndryshojë ndeshje me aftësi të shumta teknike dhe me një memorizim të portës si pak të tjerë, aftësia goditëse e Bajramit i ka mahnitur të gjithë.
Vlen të theksohet se në renditjen e mesfushorëve që e tentojnë më shumë portën në Itali, shqiptari është i dyti pas Antonin Barak, surprizës çeke të Veronës, duke lënë pas shumë të tjerë, mes të cilëve kapitenin e Romës Pelegrini, serbin Milinkoviç-Saviç dhe as më pak e as më shumë se Federico Chiesas.