Hamilton vazhdon me Mercedesin

Më në fund saga e rinovimit të Lewis Hamilton është mbyllur, ashtu siç dëshironin të gjitha palët e përfshira në këto tratativa të stërzgjatura. Piloti britanik ka hedhur zyrtarisht firmën në kontratën e re 3-vjeçare me Mercedes dhe do të përfitojë në total 100 milionë Paund. Lajmi u bë i ditur nga vetë skuadra gjermane, duke i dhënë fund spekulimeve disa mujore se Hamilton mund të largohej e ndoshta mund të përfundonte te Ferrari.

“Mercedes është shtëpia ime dhe nuk mund të jem më i lumtur se kaq që do të qëndroj edhe 3 vite të tjera. Edhe pas suksesit të vitit të shkuar, uria për fitore është më e madhe se kurrë dhe e njëjta gjë vlen edhe për mua. Makina Mercedes me të cilën garoj për momentin është më e mira që kam patur në karrierë”, komentoi Hamilton për faqen zyrtare të skuadrës.

Me të njëjtin entuziazëm foli edhe bosi i Mercedes, Toto Wolff, i cili tha se ndihet i lumtur që skuadra do të vazhdojë të ketë në dispozicion një nga dyshet më të forta të pilotëve. Për drejtuesin austriak, rinovimi i kontratës me 2 herë kampionin ishte një nga prioritet e Mercedes për këtë sezon. Që nga viti 2013 kur u bashkua me skuadrën gjermane, Hamilton ka fituar 15 nga 43 gara, ndërsa sezonin e kaluar arriti kulmin e suksesit me titullin e dytë kampion.