Hamdi Salihi: Sukses i veçantë

Hamdi Salihi hyri në fushë si zëvendësues, duke ndihmuar repartin e avancuar që të mbajë në rrezik konstant mbrojtjen armene. Ai vlerëson maksimalisht pikët e marra në këtë sfidë, por nuk dëshiron të tregohet euforik për kualifikimin në “Euro 2016″. ”

“Morëm një fitore shumë të rëndësishme për vetë pozicionin që kishim në tabelë. Por, ajo që e bën më të veçantë këtë sukses ishte fakti se u gjetëm në disavantazh dhe arritëm ta përmbysnim. Ekipi tregoi karakter dhe besim të madh. Në disa momente edhe rrezikuam, pasi në ndihmë të sulmit erdhën edhe mbrojtësit e qendrës. Gjithsesi, llogaritë na dolën siç i kishim parashikuar”, u shpreh sulmuesi shkodran. “Nuk e kishim nënvlerësuar Armeninë. Trajneri e nisi ndeshjen me atë skemë, pasi dëshironte të kishte nën kontroll lojën. Të jeni të bindur se çdo sfidë ka një përkujdesje maksimale nga ana jonë, duke u munduar të studiojmë kundërshtarin”, shtoi ai. Në fund, Salihi foli mbi shanset e skuadrës për t’u kualifikuar: “Vetëm ata që nuk kanë shumë eksperiencë nga futbolli flasin se ne kemi hedhur hapa të rëndësishëm drejt kualifikimit. Na kanë mbetur po aq ndeshje sa kemi luajtur deri tani. Pa diskutim që kemi shpresa të mëdha, por ka ende shumë për të bërë”.