Hamdi Salihi po stërvitet me Skënderbeun

Hamdi Salihi është në pritje të kontratës së re, por nuk dëshiron të humbasë formën. Sulmuesi shqiptar, i cili shpëtoi Hapoel Haifan nga rënia një kategori më poshtë, i është bashkuar Skënderbeut në Austri, por vetëm për stërvitje.

31-vjeçari nuk do të humbasë kohë, pasi sezoni i ri po afron dhe një përgatitje në grup është më mirë se ajo individuale. Pritet që Hamdi Salihi të qëndrojë në Izrael ku ka disa oferta. Shkodrani është pjesë e kampionatit izraelit prej vitit 2014, ku fillimisht luajti për Hapoel Akon dhe më pas kaloi te Hapoel Haifa.

Sulmuesi i Kombëtares ka një përvojë të gjatë duke e nisur me Vllazninë. Ai ka luajtur në shumë ekipe në Shqipëri, por ka qenë pjesë edhe e skuadrave në Greqi, Austri, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kinë dhe Izrael.