Haliti zbulon ‘sekretin’ e Prishtinës

Prishtina vazhdon ‘marshin’ drejt titullit të kampionit. Ekipi nga kryeqendra kosovare, edhe në takimin ne fundit në kampionat, korri fitore duke e mundur Ferizajn në udhëtim me shifrat 1:0.

Mbrojtësi i ‘bardhekaltërve’, Ahmet Haliti flet për ecurinë pozitive të Prishtinës. “Sekreti i këtyre sukseseve është kompaktësia e grupit, si dhe atmosfera e mirë që po mbretëron në ekip. Shpresoj se do të vazhdojmë me rezultate pozitive”, i ka thënë Gazetës ‘Olle’, Ahmet Haliti, i cili konsiderohet një ndër futbollistët më cilësor që aktivizohet në futbollin kosovar.

Haliti e komentoi edhe fitoren e fundit në Ferizaj. “Mendoj se kemi luajtur nën nivelin e mundësive tona. Ndoshta ka ndikuar edhe tereni i papërshtatshëm për lojë. Falë angazhimit dhe dëshirës së madhe për fitore, arritëm që t’i arkëtojmë pikët e plota”, përfundoi Haliti.

Prishtina e trajnerit Bylbyl Sokoli, aktualisht ndodhet e dyta me 33 pikë tri më pak se lideri Feronikeli derisa në ndeshjen e ardhshme e pret Drenicës në kryeqytet.