Hakmarrja gjermane apo konfirmimi mbretëror

Pas dy ndeshjeve të mbrëmshme në Francë dhe Ukrainë, Liga e Kampionëve vjen sonte me dy takime tjera interesante. Në Gjermani luhet një sfidë ku vendësit kërkojnë hakmarrje për turpërimin e vitit të kaluar ndërsa mysafirët do të provojnë ta kryejnë punën qysh në ndeshjen e parë.

Schalke-Real Madrid është 90 minutëshi që vjen nga “Veltins Arena”, me gjermanët dhe spanjollët që e regjistrojnë ballafaqimin e tretë brenda dy edicioneve të fundit të kompeticionit më prestigjioz evropian.

Trajneri i vendësve, Roberto Di Matteo, thotë që skuadra e tij do ta kërkojë fitoren duke luajtur me mentalitet fitues.

“Do të luajmë me mentalitet fitues dhe do të kërkojmë vetëm fitore, ani pse e dimë që e kemi përballë një rival të madh. Është ndeshja më e mirë për të parë se ku është Schalke momentalisht”, deklaroi Di Matteo para ndeshjes.

Duke u bazuar në faktin që Real Madridi është kampion i Ligës së Kampionëve, Carlo Ancelotti iu kërkon futbollistëve të tij ndeshjen më perfetkte.

“Ne duhet te shijojmë këtë ndeshje duke luajtur mire, me intensitet dhe me motivim. Kam besim që me një ndeshje perfekte mund t’ia dalim. Në Ligën e Kampionëve ne jemi me te motivuar. Jemi kampionet dhe duam te vazhdojme te mbetemi kampionet”, tha trajneri italian, Ancelotti.

Real Madrid dhe Schalke ishin takuar edhe në edicionin e kaluar të Ligës së Kampionëve në këtë rreth, me mbretërit që i kishin demoluar gjermanët me rezultat të përgjithshëm 9:2.

Ajo që shqetëson para ndeshjes është fusha e stadiumit “Ventils Arena”, që për shkak të motit të ftohtë nuk është në gjendjen më të mirë. Por, gjermanët janë gjermanë, andaj në 20:45 gjithçka pritet të jetë gati.