Ekipi i boksit të Kosovës nuk u lejua të hyjë në Serbi, për të marrë pjesë në Kampionatin Botëror të boksit, që zhvillohet në Beograd dhe tashmë janë kthyer mbrapa në vendin tonë.
Çeku, Ministri i Sportit, ka thënë sot se janë shkelur të drejtat bazike të sportistëve kosovarë, andaj kërkon të merren masat ndaj organizatorëve të këtij kompeticioni.
‘Për çudi nga Bashkimi Evropian nuk e kemi asnjë reagim për një rast të pastër të shkeljes të së drejtave bazike të sportistëve tanë. Njëkohësisht i bëjmë thirrje Federatës Ndërkombëtare të Boksit dhe Komitetit Olimpik Ndërkombëtarë që të reagojë në kërkesat e adresuara nga organizatat tona sportive dhe njëkohësisht të ndërrmarin masat e duhura ndaj organizatorëve të këtij kampionati për shkeljen e rregullave sportive’, tha fillimisht Hajrulla Çeku në konferencë për media.
‘Nëse nuk ndërmerren masat e duhura, ne obligojmë që të trajtojmë dhe të ndjekim të gjitha rrugët ligjore kundër penalizimit të sportistëve tanë dhe shtetit të Kosovës për pjesëmarrje në Kampionatin Botëror të Boksit’.
Në fund, Çeku foli edhe për zhvillimin e aktiviteteve sportive të klubeve serbe në Kosovë nga Federatat paralele, për të cilat tha se do t’i ndalojnë.
‘Për fund, tashmë të gjithë e dimë që disa kohë në Kosovë funksionojnë struktura paralele të Federatave sportive të Serbisë, ligji i Sportit në Kosovë nuk lejon organizimin dhe zhvillimin e aktiviteteve sportive nga Federatat paralele, për këtë qe disa herë Federatat tona sportive u kanë bërë thirrje klubeve sportive të komunitetit serb në Kosovë që të integrohen në strukturat tona organizative dhe të bëhen pjesë e aktivitetit legjitim sportiv në Kosovë. Gjatë ditës së nesërme do të mblidhet Këshillimi Kombëtar për Parandalimin dhe Sanksionimin e Dhunës dhe Dukurive Negative në sport, këshilli do të dalë me rekomandime konkrete të masave që ne duhet t’i marrim për ndalimin e aktivitetit sportiv paralel në shtetin tonë’, përfundoi ai.